Divorci duket se nuk është më një tabu në Shqipëri dhe kryesisht çifte të rinjsh zgjedhin të prishin jetën e tyre familjare, shumë pak kohë pasi janë lidhur në martesë.
Por pavarësisht se fenomeni nuk po shihet më me një sy skeptik dhe përçmues, në qytetin e Beratit duket se çiftet janë emancipuar më shumë se në pjesën tjetër të vendit.
Sipas BalkanWeb, Gjykata e Beratit vitin 2018 e ka mbyllur me një shifër rekord divorcesh, pasi për secilën ditë ka pasur një çift të ndarë dhe më shqetësuesja është se çdo rast është shoqëruar me dhunë në familje.
Në gjykatën e Beratit janë paraqitur gjatë vitit të kaluar plot 409 kërkesa për divorc, ndërkohë që 65 të tjera ishin të mbartura nga viti 2017. Gjykata zgjidhi martesat për 329 çifte.
Ndër arsyet më të shpeshta të kërkesave për divorc mund të përmendim emigracionin e bashkëshortëve, punët sezonale në qytete të tjera të vendit, tradhtia, kushtet e vështira ekonomike si dhe diferencat kulturore dhe arsimore.
Mësohet se më së shumti kanë qenë gratë që i drejtohen të parat gjykatës për të zgjidhur martesën. Gjatë 2018, 65% e kërkesave për divorc kanë ardhur nga gratë dhe 35% nga burrat.