Ballina Aktualitet Rajoni “Putin-Trump paralajmërojnë luftë!”, si e luan Vuçiç propagandën

“Putin-Trump paralajmërojnë luftë!”, si e luan Vuçiç propagandën

Që Shtetet e Bashkuara e kanë marrë seriozisht realizimin e qëllimit të tyre për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi brenda vitit, kjo nuk ka dyshim. Letrat personale të Trump për Thaçin e Vuçiçin, telefonatat me Xhon Bolton, takimet e Mogerinit me krerët e Kosovës dhe pritja e presidentit serb nga Merkeli në Berlin, janë të dhëna që flasin për një garë të ethshme me kohën: faktori ndërkombëtar kërkon një pakt final Prishtinë-Beograd.

Palët ndahen nëse ky pakt duhet apo jo të përfshirë shkëmbim territori: Gjermania është kundër, ndërsa ofiqarët e Brukselit dhe mbi të gjitha, SHBA janë fleksibël ndaj idesë.

Palët janë dakord vetëm në një pikë, që një marrëveshje do ishte e dobishme për të gjithë dhe sidomos, për shqiptarët e serbët.

Në kuadër të kësaj ideje ka rritje të presionit politiko-mediatik për ta përshpejtuar këtë.

Shkëmbimi i territorit, një ide tabu deri pak kohë më parë, po flitet lirisht në Tiranë, Prishtinë e Beograd.
Presidenti Vuçiç po përballet me protesta dhe ai nuk do ta ketë të lehtë tu thotë serbëve një ditë: po, kam ndryshuar mendjen, do ta njohim Kosovën!

Ndaj, siç ndodh rëndom në të tilla raste, propaganda qeveritare është hedhur në aksion. Kohët e fundit po luhet teza frikësuese: faktorë të ndryshëm po i thonë serbëve e shqiptarëve se pa marrëveshje, e ardhmja do të jetë e errët dhe lufta nuk përjashtohet.

“Marrëveshja për të mbyllur konfliktin historik”, shkruajti Rama në Twitter pas telefonatës me Bolton.

Nga ana tjetër, Aleksandër Vuçiç pompon në opinionin publik serb idenë e rrezikut të luftës së re në Ballkan. Praktikisht, ai po i thotë popullit të vet: duhet të biem dakord me ata, ndryshe rrezikojmë shumë.

Një nga gazetat kryesore të Beogradit, e njohur për lidhjet e afërta me Vuçiçin, “Kurir” ka publikuar në faqe të parë një paralajmërim: Marrëveshje ose luftë me shqiptarët.
Dhe, për ta bërë më të besueshme këtë tezë e ka vënë kërcënimin në gojën e presidentëve Trump dhe Putin.

“Putin dhe Trump dërgojnë paralajmërimin e tmerrshëm: Do të shkoni në luftë përsëri! – Nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës përgatituni për një luftë të re me shqiptarët”.

Kurir

Ajo që shkruan “Kurir” në faqe të parë është një lëvizje e njohur në strategjitë politike: Frikësohet populli me një të keqe të madhe (në rastin konkret lufta!), për të kapërdirë me lehtë të keqen më të vogël (në rastin konkret, njohjen apo më mirë “humbjen” përfundimtare të Kosovës). /GSH/