Nga Klara Buda*
Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.
E kam shprehur edhe më herët pozicionin[1] tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.
Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.
Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një endërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionalë për të qeverisur problemet e brendëshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.
Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo : kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimin të veriut të Kosovës më Serbinë.
Por kjo nuk është tema e këtij artikulli, ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment para zgjidhjes së problemit të Kosovë me Sërbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.
Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhët për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qellime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymëse për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër : të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.
Sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimi të Serbisë së madhe.
Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?
I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën[1].
Presheva, është një zonë të lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb e nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për tu hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kemi të bëjmë më një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.
II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën
Nëse Veriu i Mitroviçës (Miniera e Trepçes dhe Liqenin i Ujmanit) do të bashkoheshin me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëhere hidhet karemi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohet miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë!
Shtrohet pyetja, se pse pikërisht në këtë momënt, Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëherëshme për Shqipërinë e madhe? Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Sërbia.
Si konkluzion dhe sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij opsioni nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar. Bashkimi Kosovës me Shqipërinë nuk është ende një projekt serioz i liedershipit në Shqipëri e në Kosovë, por qartësisht vetëm një patericë e idesë për ndarjen e Kosovës e kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovën dhe krijimit të Sërbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan e në Europë nuk e dëshëron.
[1] Nënvizojmë se nuk bëhët fjalë për gjithë zonën shqiptare ku përfshihet lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanovçi dhe këtu është një kurth tjetër; pse jo e gjithë pjesa shqiptare e jugut të Sërbisë, po vetëm Presheva?
[1] shih Rrokum Tv, nentor 2017
*Shefe e Këshillit për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë