Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe delegacioni i saj për bisedime me Serbinë u mblodhën të mërkurën për të diskutuar një platformë bisedimesh dhe letrën e zyrtarëve amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.
Udhëheqësit e institucioneve nuk komentuan takimin, ndërsa Shpend Ahmeti, njëri nga drejtuesit e delegacionit për bisedime tha se ka kërkuar “që mos ta lëmë njëri tjetrin të vetëm në këto tema, nuk mund ta lëmë vetëm kryeministrin në këtë çështje, sepse presioni po shkon drejt te ai. Nëse marrim vendim bashkë ta mbajmë taksën të bëhemi të gjithë, e nëse vendosim ta heqim, të bëhemi të gjithë bashkë. Unë mbetem i bindur se kjo nuk rrezikon marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara”.
Një ditë më parë Kosova mori një letër të nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në të cilën shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.
Në letër mes tjerash theksohet se “Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona“, theksohet mes tjerash në letër.
Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.
Presidenti Thaçi, i cili u takua të mërkurën me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, tha se janë pajtuar se është thëlbsore “është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore. Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësore për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit Thaçi.
Tash për tash nuk është e qartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar që shënon edhe rastin e parë kur Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë dhe kanë paralajmëruar veprime dënuese për Kosovën.
Në letrën e zyrtarëve amerikanë shpjegohet se për shkak të qasjes së Kosovës, është vendosur që të anulohet vizita e planifikuar e Gjeneralit(Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë dhe se do të shihen me kujdes “aspektet e tjera të bashkëpunimit”.
Garda Kombëtare e Iowas ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e mundësive vepruese të Forcës së Sigurisë së Kosovës shndërrimi i së cilës në ushtri është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por ka nxitur pakënaqësi tek një pjesë e aleatëve të NATO-s.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës që filluan takimin dyditësh të mërkurën në Bruksel, pritet që të enjten të shqyrtojnë shkallën e angazhimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës, meqë një pjesë e aleatëve mendojnë se “ishte kohë e gabuar shndërrimi i saj në ushtri”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ritheksoi të mërkurën se kjo Forcë nuk mund të shkojë në veriun e Kosovës pa lejen e komandantit të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, misioni i të cilave do të vazhdojë të mbetet i pandryshuar.(VOA)