Nga Roland Qafoku
Rreth 5 orë demonstrim. Pa fjalime dhe pa asnjë deklaratë. Me vuvuzela që nuk pushonin dhe me qiellin plot me dronë. Me pjesëmarrje masive, por pa rezultat. Me sulm ndaj kryeministrisë deri me zjarr dhe hekur, por që gazi lotsjellës, xhamat antiplumb dhe uji nga tubat e zjarrfikëse sprapsën çdo sulm. Protesta e Partisë Demokratike e 16 shkurtit nuk solli as largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit e as nuk solli një kryeministër të ri. Janë të paktën 15 konkluzione që dolën nga ato 5 orë tubim.
1.Protesta e opozitës tregoi se moralisht qeveria ka rënë, por opozita nuk është ngritur. Në 6 vjet të qeverisjes së Partisë Socialiste dhe po aq vite të Partisë Demokratike në opozitë, kuotat në politikën shqiptare vazhdojnë të kenë një hapësirë bosh që nuk e plotëson kush. Pushteti vërtetë e ka konsumuar ndjeshëm Partinë Socialiste, por në të njëjtën kohë nuk kemi një frymë të krijuar nga Partia Demokratike. Është e vërtetë që PS qeveris e vetme dhe kjo e ka vënë shumë në vështirësi ndryshe nga thirrja na jepni timonin të qeverisim më mirë të vetëm, por PD ende nuk e ka zëvendësuar boshllëkun e krijuar nga konsumi i pushtetit duke mos krijuar besim tek ajo. Aq e theksuar është kjo sa një pjesë e njerëzve mendojnë që problem numër një i Shqipërisë nuk është qeveria, por opozita.
2.Protesta e Partisë Demokratike tregoi edhe një herë se kryetari i saj Lulzim Basha vetëm kështu di t’i organizojë dhe t’i ndërpresë në mes protestat. Pa skenar të qartë, pa rregull dhe përgjegjësi, protesta ishte një mish-mash se kushdo mund të bënte ç’të donte dhe kushdo mund të mos arrinte kurrë të bënte atë që donte. Më e organizuar ka qenë protesta e paorganizuar e studentëve se sa protesta e PD. Në fillim u tha që do të flisnin liderët e opozitës. Pastaj u tha se do të flisnin qytetarët dhe në fund nuk foli askush. Kulmi i këtij çorganizimi ishin ecejaket e liderit Basha në bulevard me dy gishta lart pas sulmeve të sprapsura të turmës nga gazi lotsjellës. Në fillim dukej sikur po kthehej në seli dhe më pas këmbët i ndalonin përpara Kryeministrisë. Por përse ecte pa drejtim dhe përse e quante fitore, vetëm ai mund ta shpjegojë. Opozitë më të çorganizuar nuk kemi parë në këto 29 vjet.
3.Protesta e opozitës tregoi se tubimin e një partie politike serioze nuk mund ta përfaqësojnë huliganët. Rreth 30 protestues që përbënin atë që në gjuhën ushtarake quhet grupi i zjarrit nuk mund të përfaqësojnë 50 apo edhe 100 mijë protestues. Pjesëtarët e Forumit Rinor të PD dolën jashtë loje pikërisht se protestën e morën në dorë huliganët. Por ekziston një rregull që opozita ka ftuar besim vetëm kur atë e kanë mbështetur jo militantët e saj, por pjesa gri, intelektualët, profesorët. Protesta e 16 shkurtit nuk e bëri kurrë këtë.
4.Protesta e opozitës tregoi se lidershipi i saj duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Drejtuesit e PD nuk mund të organizojnë një tubim masiv dhe nga ana tjetër të deklarojë se ky tubim është i qytetarëve. Lideri Lulzim Basha dhe të tjerët rreth tij duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për gjithçka që ndodh në një protestë dhe nuk mund të fshihen pas fjalës qytetar dhe vetë të qëndrojë andej nga fundi ku nuk e zë as gazi lotsjellës e as uji nga tubi i zjarrfikëses. Kjo nuk është statura e një lideri të madh.
5.Protesta e opozitës tregoi se qeveria nuk rrëzohet kurrë me dhunë. Ajo nuk rrëzohet as me zjarr, as me shtiza të epokës së Homerit e as me shkatërrimin barbar të kërpudhës së artistit modern gjerman që jeton në Suedi, Carsten Holler. Nuk ndodhi kjo as më 8 dhe 9 mars të vitit të largët 1922 kur për herë të parë kryeministri Xhaferr Ypi u largua bashkë me qeverinë, nga Tirana në Elbasan, ndërkohë që në kryeqytet qëndroi vetëm ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu. Elez Isufi sulmoi Tiranën me 500 mbështetës dhe vetëm me ndërhyrjen e ambasadorit anglez u ndërprenë luftimet dhe u vendos paqja mes Zogut dhe Elezit. Nuk ndodhi as në periudhën moderne, më 14 shtator 1998. Partia Demokratike atë ditë detyroi të largojë edhe kryeministrin, edhe qeverinë, por pushtetin nuk e mori asnjë moment. Afërmendsh kjo nuk mund të ndodhë në vitin 2019. Pushteti merret me votë dhe jo me dhunë.
6.Protesta e opozitës tregoi se largimi në Vlorë i kryeministrit Rama dhe i një pjese të kabinetit të tij ishte një gabim i rëndë dhe i uli atij shumë pikë. Qëndrimi në krye të detyrës kur ka një protestë dhe reagim të opozitës kurrë nuk mund të shoqërohet me braktisje. Për të mos shkuar më pas, në një karshillëk me një antimiting. Nuk mund të mburret qeveria që në “Vlorën që do” pushteti kishte 3652 karrige dhe po aq persona të ulur në të. 3652 karrige mund t’i vendoste dhe të ulte po aq njerëz edhe Dritan Leli dhe përsëri nuk mund të quhej arritje.
7.Protesta e Partisë Demokratike tregoi edhe raportin e kësaj partie me median që është një çorganizim i organizuar. Aspak korrekte, selektive dhe preferenciale, kryetari Basha nuk mund të ketë si alibi që Rama ka blerë mediat dhe vetë të mos jetë korrekt me median. Shumë gazetarë të majtë dhe të djathtë, të paanshëm dhe me anësi, profesionistë dhe amatorë, shprehin pakënaqësi ndaj kreut Basha që nuk tregohet korrekt me ta në shumë aspekte. Urdhri i fundit është që deri në enjten asnjë deputet i PD të mos dalë në ekrane, nëpër intervista dhe emisione. Por jam i bindur që ky rregull për disa do të prishet të hënën sepse Basha ndërron mendje në mes të punës.
8.Protesta e opozitës tregoi edhe një herë personalizimin e aksioneve politike të krerëve të partive shqiptare. Identifikimi i protestës ishte me Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin. Ku ishin figurat e rëndësishme të Partisë Demokratike. A i pa kush deputetët e asaj që tregojnë autoritet, ndershmëri dhe kanë besim në popull? A e pa kush Halim Kosovën, Albana Vokshin, etj.? Po Nasip Naçon dhe Edmond Panaritin e LSI? Një protestë më shumë se kurrë kërkon që në krye të saj të jenë përfaqësuesit e popullit dhe jo përfaqësuesit e servilëve. Dhe kjo është arsyeja përse Salianji i PD deklaron se nuk po merrte pjesë në protestë si deputet, por si qytetar. Një seriozitet i lëkundur seriozisht.
9.Protesta e opozitës tregoi edhe njëherë se edhe pas 29 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, protesta e partive politike quhet ajo që shkatërron dhe dëmton dhe krijon premisa për prishje të rendit. Studentët protestuan për afro një muaj me një pjesëmarrje dhe qëndrueshmëri të admirueshme, por nuk shkatërruan asnjë lule e as një pemë. Lëre pastaj objekte arti. Shkatërrimi i objekteve të ndërtuara me paratë e popullit është mendësi orientale dhe nuk ka lidhje me atë që ne kërkojmë të arrijmë.
10.Protesta e opozitës tregoi se Policia e Shtetit, nëse ka profesionalizëm dhe ndershmëri arrin të përballojë një protestë brenda standardeve dhe të mos ketë viktima. Ankesat e tipit “policia e çau vetë kordonin” lënë shumë për të dëshiruar. Po aq për të dëshiruar lënë edhe ankesat për gazin lotsjellës. Është njësoj sikur mamaja e një ushtari që shkon në luftë të ankohet te komandanti përse në atë betejë u vra djali i saj. Kur sulmon institucionet e shtetit, policia nuk mund të shpërndajë fletëlavdërimi.
11.Protesta e opozitës tregoi se realisht se opozita vetë është e përçarë. Një pjesë e madhe e opinionit më shumë kërkonte të dinte se çfarë mendonte Dashamir Shehi dhe Agron Duka se sa Lulzim Basha. Edhe pse jemi 4 muaj përpara zgjedhjeve lokale nuk ka asnjë strategji të përbashkët. Kodi Zgjedhor aq i anatemuar nga aleatët është lënë në mes si betejë nga ana e Bashës. Pikërisht kjo është thembra e asaj që fjala opozitë e bashkuar do të thotë opozitë e përçarë.
12.Protesta e opozitës tregoi se mbi të gjitha ka një faktor ndërkombëtar që i tërheq veshin atij që gabon. Kurrë dhe në asnjë rast dhe rrethanë diplomatët e huaj nuk kanë mbështetur një protestë të dhunshme. Edhe këtë herë ndodhi kështu. Përpjekjet e disave që “jetojnë” pranë veshit të Bashës dhe sulmojnë ambasadën amerikane dhe diplomatët e huaj, thjesht nuk janë mizerabël, por janë mjeranë që fatkeqësisht dëgjohen nga mjeranë.
13.Protesta e opozitës tregoi se politika shqiptare ka edhe ministra të Brendshëm të përgjegjshëm në zbatimin e ligjit si Sandër Lleshaj. Ndonëse është provokuar nga opozita, me qetësinë dhe maturinë e tij arriti të ketë sukses duke u veçuar nga pothuajse të gjithë paraardhësit e tij.
14.Protesta e opozitës tregoi nivelin mediokër të parullave që mbanin në duar protestuesit. Nga parullat dhe meme plot mendim dhe humor të studentëve, protesta e opozitës u katandis në parulla vulgare dhe pa ndonjë ide. Nga parullat e studentëve të tipit “Rama, kthe përgjigje deri në orën 17.00 se më fillon kursi i gjermanishtes” deri në parulla të tipit “Hap llotot ose largohu”, “Rama do shkosh në të s’ëmës” e deri tek fotografi me brejtës të kapur në çark të krahasuar me fundin e kryeministrit, duke treguar se ato i hartojnë persona me stekë të ulët që duhen pyetur çfarë note kanë marrë në klasën e 5-të në gjuhë dhe letërsi shqipe?
15.Protesta e opozitës tregoi edhe rolin e Presidentit të Republikës. Duhet të veçohet që vetëm pak momente pas sulmit ndaj derës së Kryeministrisë, Ilir Meta u bë i pari shtetar që reagoi duke bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Ndryshe nga presidenti Topi që më 21 janar 2011 deklaratën e parë e bëri 10 ditë më vonë./afp.al/