Prishtina është kryeqyteti më i ri i Europës, por për shumë është edhe më i shëmtuari. Me këtë ide të krijuar nga të tjerët e nis shkrimin e saj për BBC-në gazetarja Deborah Huso, një profesioniste e lirë që jeton në Virxhinia dhe ndjek kryesisht temat e biznesit, stilit të jetesës dhe udhëtimet turistike.
Huso rrëfen se mbërriti në Prishtinë pas një udhëtimi 10-ditor që kaloi nga Alpet e Shqipërisë. E vendosur në një apartament me qira jo shumë larg sheshit “Nënë Tereza” dhe bulevardeve “Bill Clinton” dhe “George Bush”, ajo rrëfen se e tërë lagjja po përballej me mungesën e ujit.
“Me sheshet prej çimentoje, ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët me pluhur, shpejt u bë e qartë se pse Prishtina ka krijuar këtë ide. “Lonely Planet” e quajti atë “qytetin më të papëlqyeshëm estetikisht që do të hasni ndonjëherë”, ndërsa Boston Globe dikur shkroi: “Ky qytet ballkanik është ndoshta kryeqyteti më i shëmtuar dhe më i këndshëm në Evropë”.
Por, duke marrë parasysh luftën e përgjakshme dhe politikën e hidhur që ka dominuar vitet e fundit, ta krahasosh Prishtinën me një kryeqytet si Parisi ose Roma, nuk është e drejtë. Në fund të fundit, vetëm gjatë shekullit të fundit, lufta në Ballkan e ka çuar Kosovën nën sundimin e Perandorisë Osmane, mbretërisë së Serbisë, Jugosllavisë, madje edhe Italisë (si pjesë e Shqipërisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe Serbisë përsëri”, shkruan ajo.
“Shumica e ndërtesave me arkitekturë otomane janë zëvendësuar nga ato të stilit komunist. Një nga më të njohurat të kësaj periudhe është Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e cilësuar nga Virtual Tourist, si një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë”, shkruan ajo.
Megjithatë, nga brenda ndërtesës pamja është tjetër. Husto thotë se gjeti aty një shkrirje të mermerit me dritën natyrale që hyn nga kupola dhe që sugjeron lidhjen mes arkitekturës së stilit bizantin dhe asaj islamike.
Në shkrim shfaqet njëfarë habie me numrin e madh të kafeneve që ka Prishtina.
“Plot me mbushur me kafene dhe të pajisura me gjithçka – nga përmendoret që të kujtojnë çlirimin e Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, deri te figurat prej bronzi të pikturuara me flamuj amerikanë dhe britanikë – rrugët kanë lëvizje në çdo orë të ditës. Prindërit shtyjnë karrocat, turistët hanë akullore dhe studentët zhvendosen sa nga një kafene në tjetrën”, shkruan ajo.
“Në fakt, një nga gjërat më të mrekullueshme që gjeta në Prishtinë ishte kultura e kafesë. Mjafton të kalosh nga një bllok në tjetrin dhe do të hasësh të paktën gjysmë dyzine kafenesh, dhe sipas Shoqatës Gastronomike të Prishtinës, ka më shumë se 100 të tilla në qytetin me vetëm 200 000 banorë.
Ashtu si Prishtina, kafenetë e saj pasqyrojnë një përzierje të ndikimeve ballkanike, evropiane dhe të Lindjes së Mesme, me makiato aq të shijshme sa do të konkurronin edhe Italinë dhe dyqane të tjera të specializuara në traditën turke.
Por ajo që i bën këto kafene unike është rëndësia që kanë ato për banorët e këtij vendi pa dalje në det. Ata janë një vend grumbullimi për punëtorët e administratës, të papunët dhe intelektualët e rinj. Në fund të fundit, pikërisht në një kafene nisi planifikimi i lëvizjes që e çoi Kosovën drejt pavarësisë”.
Autorja e shkrimit nxjerr në pah dashurinë e kosovarëve për Amerikën. Ajo ndalet te busti i Bill Clinton-it dhe kujton një deklaratë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Me shumë gjasa, ne kemi statujën më të shëmtuar në botë të Bill Clinton-it. Kur e inauguroi Hillary Clinton, dukej sikur në fytyrë i shkruhej “ky nuk ka lidhje me tim shoq””, ka thënë Ahmeti në një intervistë.
“Pa dyshim, Prishtina nuk i ngjan as Parisit, as Romës. Por unë konstatova se, nëse sillni ndërmend të kaluarën e saj dhe zhyteni në të tashmen, do të gjeni një popull elastik, të ri e të gatshëm për të shkruar kapitullin e radhës. Dhe kjo është diçka e bukur në mënyrën më të pamohueshme”, e mbyll ajo shkrimin.
BBC-TemA TV