Ballina Bota Pse Trump dhe ekipi i tij, duan të shpërbëjnë BE-në

Pse Trump dhe ekipi i tij, duan të shpërbëjnë BE-në

Nga Natalie Nougayrede

Administrata Trump, jo vetëm që nuk e pëlqen Bashkimin Evropian, por është e vendosur ta shkatërrojë atë. Vizita në Evropë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo javën e kaluar, ishte episodi i tretë i sulmit, i projektuar për të luajtur me ndarjet lindje-perëndim brenda BE-së. Episodi i parë ishte fjalimi i Donald Trumpit në Varshavë në vitin 2017, i fryrë nga një nacionalizëm vendas.

Episodi i dytë, ishte rritja e tarifave për eksportet evropiane në vitin 2018 nga ana e Trump, dhe dalja e SHBA-së nga marrëveshjet kyçe, sikurse është marrëveshja bërthamore e Iranit dhe Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF). Këtyre, duhet t’iu shtohen nxitjet e hapura të Trump ndaj përkrahësve të Brexit, dhe vendimi i tij për t`u larguar nga Siria.

Të gjitha këto, ndikojnë në interesat evropiane (përfshirë Britaninë) në shumë aspekte konkrete, ndryshe nga postimet në Tëitter ose fyerjet ndaj aleatëve.

Evropa po përpiqet të rezistojë. Angela Merkel, që është objektivi politik i preferuar i Trumpit në BE, mori shumë duartrokitje të shtunën në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, për fjalimin e saj mbi virtytet e multilateralizmit. Por ndoshta, ne duhet të kuptojmë plotësisht se me çfarë është duke u përballur BE-ja, në këtë epokë të re Trump.

Njeriu që tani i pëshpërit në vesh Trumpit është Xhon Bolton, këshilltar i tij i sigurisë kombëtare. Marka e tij e ideologjisë anti-BE, ishte në shfaqje të plotë gjatë udhëtimit të Pompeos në Budapest, Bratislavë dhe Varshavë. Pompeo bëri dy gjëra të rëndësishme.

Së pari, ai pronësoi de fakto kremtimet e këtij viti me rastin e përvjetorit të 30-të të rënies së komunizmit në Evropën Lindore, duke iu referuar afërsisë së SHBA me kombet që luftuan për lirinë e tyre, duke i dhënë leje të plotë për të qeverisur populistëve të djathtë, që BE i ka kritikuar apo sanksionuar për shkak të prapësimeve të tyre në raport me demokracinë.

Së dyti, përmes zgjedhjes së destinacioneve të tij, Pompeo, thelloi ndarjet mes vendeve që dikur ishin pas Perdes së Hekurt, dhe atyre që nuk ishin. Kjo qasje tenton të luajë me zgjuarsi me ndjeshmërinë e manipuluar nga demagogët, çka e ka dëmtuar kapacitetin e BE-së për t’u unifikuar vitet e fundit.

Një pjesë e kësaj strategjie veproi në vitin 2003, kur në prag të pushtimit të Irakut, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, shpiku termat “Evropë e vjetër” (e keqe) dhe “Evropë e re” (e mirë). Por një ndryshim i madh sot është se, nëse projekti evropian do të mbetet gjallë; atëherë optimistët besojnë se do të “dominoje shekullin XXI-të”.

Një artikull i Bolton i shkruar në vitin 2000, na ndihmon të zbulojmë më qartë synimet e strategjisë së Trump. I titulluar “A duhet ta marrim seriozisht qeverisjen globale?”, ky artikull përdoret sot si një udhërrëfyes për qëllimin e administratës Trump për të shkatërruar BE-në.

Në të, Bolton kritikon ashpër “globalistët”, të cilët kërkojnë të lidhin shtetet kombëtare në një rrjet normash dhe marrëveshjesh ndërkombëtare, që kufizojnë sovranitetin.

Ai shprehet aty se një mandat vërtet demokratik, mund të ekzistojë vetëm në nivel kombëtar. Bolton shpërfill OJQ-të dhe shoqërinë civile, dhe listën e “pafundme” të institucioneve shumëkombëtare, ose mbi-kombëtare. BE-ja, thotë ai, është “burimi kryesor i globalistëve substancialë “.

Bolton shkon më tej:ai e identifikon BE-në si një kërcënim për interesat e SHBA-së (Trump vitin e kaluar e quajti atë “armik”). “Elitat europiane, nuk janë të kënaqura vetëm me transferimin e sovranitetit të tyre kombëtar në Bruksel. Ato kanë vemdosur gjithashtu të transferojnë një pjesë të sovranitetit tonë tek institucionet dhe normat mbarëbotërore, duke e bërë Bashkimin Evropian një pararendës miniaturë të qeverisjes globale”- shkruan ai, duke e përshkruar BE-në si “të ngjyrosur me një anti-amerikanizëm të dallueshëm”.

Mos harroni se Trumpi, ka bërë ndoshta më shumë se çdo udhëheqës tjetër i SHBA-së, për të nxitur ndjenjat anti-amerikane në Evropë. Ajo çka zbulon kjo, është se shpjegimet konvencionale që shpesh jepen për sulmet e Trump ndaj BE-së, janë vetëm një pjesë e tablosë. Zemërimi i Trump ndaj BE-së si një bllok tregtar, taktikat e tij për të rritur eksportet e armatimeve të SHBA-së në kontinent, si dhe kundërshtia e tij personale ndaj Merkel, janë vetëm përkthimi i një beteje më të gjerë ideologjike rreth qeverisjes globale.

Dhe mos mendoni se shkrimet e Boltonit të vitit 2000, janë të vjetëruara. Ato do të shfaqen nëse besoni se administrata Trump nuk ka ideologji, por vetëm interesa biznesi. Është e vërtetë se nuk mund të mendohet sot, që Evropa është e aftë të sfidojë SHBA-në në skenën globale:ajo është shumë e dobët ushtarakisht, dhe ka kaluar një dekadë krizash.

E megjithatë, ajo mishëron diçka që Trump dhe Bolton e urrejnë. Dhe disa prej shteteve më të mëdha anëtare, po përpiqen tani të sfidojnë SHBA-në, sikurse është mekanizmi i ri për të anashkaluar sanksionet kundër Iranit. Me më pak se 100 ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, Pompeo darkoi në Hungari me kryeministrin vendas Viktor Orban, i cili dëshiron të riformatojë hartën politike të Evropës, për t’iu përshtatur vizionit të tij të “demokracisë joliberale”.

Ata mund të kenë mosmarrëveshje me Rusinë, dhe është e vërtetë që Pompeo takoi përfaqësues të OJQ-ve në Budapest, por pati pak shenja të divergjencave me Orbanin lidhur me vlerat. Është e vërtetë gjithashtu se Pompeo vizitoi Sllovakinë, qeveria e të cilës e mendon veten një anëtare konstruktive e BE-së, dhe jo një përçarëse.

Vizita e Pompeos, ishte një hakmarrje e armiqve të një BE-je që ka në bazë vlerat, dhe një sulm tjetër mbi ekzistencën e BE-së. Evropa e pasluftës, ishte në gjendje ta ndërtonte veten si një projekt kolektiv, falë mbrojtjes dhe mbështetjes financiare të SHBA-së. Sot BE-ja është në shenjestër të sulmeve politike të shumëfishta nga Uashingtoni dhe Moska, jo vetëm për shkak të asaj që bën, por të asaj që është. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë evropianët, aq më mirë do të jetë.

“The Guardian” – Bota.al