Pavarësisht se lajmet e rremë janë një problematikë e vjetër, me shumëfishimin e portaleve “Fake News” mbetet problem i ri; sidomos në prag zgjedhjesh.
“Arriti gati 167 portale të regjistrohen. Situata vazhdon të jetë kaotike, momentalisht janë mbi 800 portale. Dhe mbi 400 portale janë ende të paregjistruara, sepse nuk identifikohet administratori, nuk identifikohet vendi ku kanë redaksinë nëse funksionojnë si të tilla”, tha Aleksandër Cipa për Top Channel.
Tituj të përdorur si karrem për të marre klikime, që përkthehen në të ardhura për drejtuesit e mediave online, propaganda apo lufta politike që fshihen pas ‘fake news’. Raste pothuajse janë çdo ditë dhe që viktimat e lajmeve te pavërteta nuk dinë kujt t’i adresohen.
“Vetëm ditët e fundit ke pasur disa raste flagrante të fake news-it; si rasti I zonjës Majlinda Bregu që ajo ndodhej në Sarajevë dhe një video e vjetër e para 3 apo 4 vjetëve dukej sikur takoi Knut Fleckenstain në Tiranë; tjetër ka qenë rasti i një polici që ishte si protestues, e në fakt po ta kontrolloje nuk ishte”, u shpreh Lutfi Dervishi.
Komuniteti i gazetareve preket i pari nga “Fake News” duke humbur besueshmërinë e publikut dhe gjithashtu lexuesit marrin informacionin abuzues. Dhe për të bërë dallimin mes një lajmi të rremë e atij të vërtete duhet të dini disa rregulla.
Si të dallojmë Fake News
“Kur nuk ka emër gazetari, ky do të ishte alarmi i parë. E dyta kur përpiqet të shkaktojë më shumë emocion sesa një gjë logjike dhe e treta mund të jetë goditje, synohet denigrimi i një personi apo kauze thjesht duke bërë fake news”, thotë Lutfi Dervishi.
“Ata që në një farë mënyre akuzohen pa të drejtë janë komuniteti i gazetarëve, ndërkohë që për audiencën nuk është e qartë që shumica e këtyre portaleve nuk kanë fare gazetarë në stafet e tyre”, shprehet Iris Luarasi.
“Por ajo që është më shqetësuese dhe që ndodh përherë në mediumet online është që merret fakti real e konvertohet në fake news”, tha Aleksandër Cipa.