Seanca gjyqësore për rastin “Magjar Telekom” në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) do të vazhdojë më 27 mars. Në seancën e sotme, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhemali Mehazi ka dëshmuar pothuajse një orë, derisa përgjigjej pyetjeve të prokurores, Lile Stefanovës, transmeton Portalb.mk.
Në fillim të seancës gjyqësore të sotme, Stefanova Mehazit ia lexoi Protokollin për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe “Matav-Magjar”-it dhe “non-pejper”-in e vitit 2005-të, në të cilin qëndrojnë emrat e Vllado Buçkovskit si palë “A” dhe emrat e A.A. (Ali Ahmeti) dhe M.Xh. (Musa Xhaferi) si palë “shokët nga Tetova”. Përmbajtja e dokumentit është evidentuar si “e besueshme”, dhe të njëjtën Prokuroria Speciale Publike (PSP) e ka siguruar nga Komisioni i Letrave me Vlerë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do t’u paguhen 2.5 milionë euro palës A dhe 5 milionë euro shokëve të Tetovës”, thuhet në dokument.
Dëshmitari i sotëm, Mehazi ka deklaruar se nënshkrimi në Protokoll është i tij, por nuk kujtohet në detajet, sepse nuk ka marrë pjesë në përpilimin, ngaqë vetëm e ka nënshkruar. Ai ka deklaruar se nuk e di nëse marrëveshja e bashkëpunimit është evidentuar në librat e punës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, sepse ka kaluar shumë kohë.
Prokurorja Lile Stefanova ka deklaruar se sipas “non-pejper”-it, paratë do të paguheshin në 3 këste: 2.5 milionë euro në ditën e nënshkrimit, 2.5 milionë euro më 30 dhjetor të 2005-s, dhe 2.5 milionë euro në qershor të 2006-s.
Për të dëshmuar në rastin “Magjar Telekom” është ftuar edhe Mihallis Kefallojanis, por nga i njëjti ende nuk ka përgjigje.
Në seancën e 27-marsit do të dëshmojnë ish agjenti, Sllobodan Bogoevski dhe një dëshmitar tjetër.
Sipas aktakuzës, hungarezi Atila Sendrei, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të “Telekomit të Maqedonisë”, gjermani Rollf Pllat, greku Mihaill Kefallijanis dhe hungarezi Zolltan Kishjakus, dyshohen se kanë nënshkruar marrëveshje fiktive për shërbime konsultative me “Çapteks Holldings Limited”, dhe në atë mënyrë e kanë dëmtuar “Telekomin e Maqedonisë” me rreth 4 milionë euro, kurse buxhetin shtetëror të RMV-së me 2 milionë euro, sepse në atë kohë, Qeveria e RMV-së ka menaxhuar me 47 përqindëshin e aksioneve të ndërmarrjes “Telekomi i Maqedonisë”.
Në llogarinë financiare të ndërmarrjes në Çipro, janë transferuar mjete parash pa vendim të Bordit të Drejtorëve, kurse urdhrat i ka nënshkruar Sendrei, Pllati dhe Kishjakusi. Aktakuza për të tretë në Gjykatën Themelore Shkupi 1, është ngritur në gjysmën e parë të vitit 2011-të, kurse seanca gjyqësore e parë, është mbajtur më 26 tetor të 2011-s. Gjykata pati shpallur flet arrest ndërkombëtar në vitin 2008-të për Sendrein, Pllatin dhe Kishjakusin. Kefallijanisi nuk do të përgjigjet për këtë rast, sepse ish kryeprokurori publik, Marko Zvërlevski për të e ka hedhur poshtë padinë penale.
Të tre ish drejtorët e “Magjar Telekomit”, Elleg Shtraub, Andrash Ballog dhe Tamash Morvai, në procedurën gjyqësore që u realizua njëkohësisht dhe për rastin e njëjtë në Hungari, janë akuzuar se në vitin 2005-të dhe 2006-të, funksionarëve të RMV-së u kanë paguar ryshfet në vlerë prej 4.8 milionë euro, që ta anulojnë liberalizimin e tregut te telekomunikimit. Të tre ish drejtorët i kanë paguar të hollat si shërbime konsultative dhe të marketingut.
LEXO: Rasti “Magjar Telekom” përfundon në SHBA, te ne ngec nëpër prokurori dhe gjykata
Shtraubi dhe Ballogi, në prill të 2017-s janë përballur me Gjykatën e Nju Jorkut, dhe kanë paguar gjobë, i pari në vlerë prej 250 mijë dollarë, i dyti në vlerë prej 150 mijë dollarë, dhe për pesë vjet kanë ndalesë për kryerje të veprimtarisë aksionare. I akuzuari i tretë, Tamash Morvai ka paguar gjobë në vlerë prej 60 mijë dollarë, për veprën “falsifikim i librave të punës”.
Afera ka marrë kahe të re pas dëshmisë së ish agjentit, Sllobodan Bogoevski, i cili para Gjykatës së Nju Jorkut, në seancë publike, gjatë dëshmisë deklaroi se ryshfet nga “Magjar Telekomi” ka marrë ish kryeministri i RMV-së, Vllado Buçkovski, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ish funksionari shtetëror, radhë e BDI-së, Musa Xhaferi dhe Abdulhalim Kasami. Ndaj Bogoevskit, Ahmeti dhe Xhaferi patën ngritur padi për shpifje, por edhe pse e fituan rastin, vendimi u shfuqizua nga Gjykata e Apelit.
Për rastin “Magjar Telekom”, procedurë parahetimore ka realizuar edhe Prokuroria Speciale Publike (PSP). PSP-së për një kohë të gjatë iu refuzua t’i jepen materialet nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, nën arsyetimin se rasti nuk ka lidhje dhe nuk del nga përgjimi ilegal, i ashtuquajtur “bombat”.