Vetëm disa ditë pas hapjes së profilit të saj në Tuiter, kandidatja për kryetare të shtetit nga radhët e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, përjetoji një situatë të pakëndshme. Një profil i panjohur një Tuiter ka postuar një status me fotografinë e djalit të Siljanovskës, të përcjellë me një koment të pakëndshëm, shkruan gazeta KOHA.
“E lind, e rrit e ruan që të rritet dhe t’i bie kavallit për para në park, derisa ti garon për kolltukun presidencial. Çfarë familje”, kishte shkruar personi i panjohur në profilin e tij në Tuiter të shoqëruar me fotografinë e kandidates Siljanovska. Nga ana tjetër, Siljanovska në profilin e saj në Tuiter kishte shprehur mburrjen e saj me djalin Pavle, duke mbështetur atë.
“Vallë dikush si unë që kërkon heqjen e privilegjeve të politikanëve, shthurjes, korrupsionit do të ketë familje që shijon makina, motorë të shtrenjtë, luks! Mburrem me Pavlen! Jurist brilant, i mençur, modest, i pavarur, i edukuar, njerëzor”, ka shkruar Siljanovska në profilin e saj në Tuiter.
Ajo gjithashtu ka reaguar edhe në profilin e saj në fejsbuk. “Si qytetare dhe aq më shumë si profesor, para se të futem në garën presidenciale, e kam ditur se fushata do të jetë e shëmtuar. E di që për epshet politike ndonjëherë nuk ka as majë as fund; kam qenë e vetëdijshme që me dalje në skenën politike nuk do të sulmohem vetëm unë, por edhe familja ime.
Hajka që nga mbrëmë vazhdon me goditjet ndaj fëmijëve. Kjo nuk është hera e parë të më ndodhë mua. ‘Ta diskreditojmë Silanicën, po qe nevoja edhe duke ja goditur edhe fëmijët’. Kam duruar atëherë, do të duroj edhe tani, por nuk do të bije poshtë dhe ta kthej në të njëjtën mënyrë. Garojmë si personalitete, por edhe me programe. T’i lëmë fëmijët të qetë, edhe tanët edhe të huajt”, ka shkruar në profilin e saj në Fejsbuk, kandidatja Siljanovska.