Në të gjitha qytetet e Maqedonisë pothuajse më lehtë është të gjesh një bastore sesa një farmaci. Ndërsa në rajon, shtetet po mbyllin bizneset e kumarit, vendi aktualisht ka numrin më të madh, krahasuar për kokë banori. Qytetarët thonë se aty ku shkolla dhe kazino janë nën një çati, ardhmëria e të rinjve gjithmonë mbetet një çështje fati.
A do të ndjek edhe Maqedonia shembullin e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbylljen e lojërave të fatit, apo vetëm do t’i dislokoj ato nga vendbanimet dhe afër institucioneve arsimore, që janë çerdhet, shkollat, madje edhe universitetet, siç po e shihni në këtë rasts, shkruan Alsat.
Qytetarët ankohen se objektet e kumarit u kanë “mbirë” në prag të derës. Ata që i hasëm nëpër këto lokalitete me kokë ulur nuk flisnin, të tjerët nuk përmbajnë mllefin.
“Për kazinotë jemi bërë marrja e botës, duhet të mbyllen të gjitha! Njerëzit mendjen janë duke e humbur, të mjerë ata që hynë në to. Më keq s’ka se si bëhet. Unë e kam blerë një banesë, por kur e kam pa pastaj bastoren afër, për besë u bëra pishman.”-shprehet një qytetar.
Nga Lëvizja “Antibixhoz” thonë se ekziston rreziku që në bastoret dhe kazinotë e Maqedonisë të infiltrohen të njëjtat biznese të lojërave të fatit, të cilat janë mbyllur në Shqipëri dhe Kosovë.
Kreu i kësaj lëvizje, Xhemal Abdiu alarmon për situatën e kumarit në vend, ku qytetarëve po u imponohet të lënë paratë e fundit. Ai thotë se ky mashtrim duhet të ndalohet në mënyrë institucionale.
“ Presim që të miratohet një ligj i ri, edhe pse kjo prolongohet është një çështje që nuk na lë rehat. Nëse i referohemi edhe deklaratës së Ministrit të Financave dhe Kryeministrit që do të miratojnë një ligj, i cili do të jetë i kënaqshëm për të gjithë qytetarët dhe nuk do të lejojnë hyrjen e kompanive të reja, përkundrazi në terren situata është krejtësisht tjetër- deklaroi Xhemal Abdiu, Drejtues i Lëvizjes “Antibixhoz”.