Ballina Aktualitet Kosovë Kreu i Inteligjencës: Serbia po përpiqet të destabilizojë sigurinë në Kosovës

Kreu i Inteligjencës: Serbia po përpiqet të destabilizojë sigurinë në Kosovës

Shpend Maxhuni, kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, deklaroi se Serbia po përpiqet të destabilizojë sigurinë në vend. Madje ai shtoi se për këtë fakt ka informuar dhe zyrtarët e lartë. Ai pranoi se në rastin e depërtimit të shtetasve turq kjo agjenci ka shkelur ligjin.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës pretendon se Serbia po tenton të destabilizoj Kosovën.

Për këtë kreu i AKI-së Shpend Maxhuni i ka njoftuar krerët e shtetit të Kosovës ndërsa të njëjtën gjë ua ka thënë edhe anëtarëve të komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.

Këto detenca siç u ka thënë ai anëtarëve të komisionit vijnë nga ana e diplomacisë serbe.

Faton Topalli kryetar i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI: “Sipas raporteve të drejtorit gjendja e sigurisë në Kosovë është bukur stabile, ka tendenca të destabilizimit të gjendjes, por AKI sa i takon si agjenci ka informuar presidentin, kryeministrin dhe është në bashkëpunim me strukturat tjera të shtetit që merret me çështjen e sigurisë”.

Ndërsa për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova kreu i AKI-së e ka pranuar para anëtarëve të komisionit se ky institucion e ka shkelur ligjin.

Rasti i dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova është përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan ku u theksua se ata janë kërkuar nën akuza të paqarta.