Në “Capitol Hill”, vetëm pak metra larg Kongresit amerikan, Dr. Michael Carpenter, drejtori i Qendrës “Penn Biden” vazhdon të jetë i interesuar për çfarë ndodh në Ballkan, rajon të cilin mbulonte deri dy vite më parë, kur shërbente në Pentagon si zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes raporton Top Chanel.
“Sigurisht, kam parë të shtohen ndërhyrjet ruse në të gjithë Ballkanin, duke përdorur kryesisht tri mënyra. Rusia përdor ndikimin e korrupsionit. Me pak fjalë, paratë e dyshimta për të ndikuar politikën, për të paguar protestues për të financuar parti. Përdorin sulme kibernetike për të marrë informacion në mënyrë të paligjshme dhe për ta hedhur atë informacion në publik. Përdor dhe dezinformim në rrjetet sociale, si dhe në mediet tradicionale, aty ku munden. Por, nga të gjitha këto mjete, paratë e errëta dhe korrupsioni janë ndoshta më të suksesshmet në Ballkan. Në Ballkan, me më shumë korrupsion, më shumë militantizëm politik, Rusia ka më shumë mundësi që të ndikojë ngjarjet në terren. Qëllimi i Rusisë është të përhapë kaos. Kjo është ajo që ka bërë dhe në SHBA. Po e bën edhe në Ballkan. E pamë në Maqedoni gjatë periudhës para referendumit për marrëveshjen e Prespës. E pamë në Mal të Zi, para anëtarësimit në NATO. E pamë në Shqipëri, ndoshta në nivel pak më të ulët, por e kemi parë edhe aty, me përçarjen në Shqipëri. E kemi parë në të gjithë rajonin”, tha Michael Carpenter, ish-zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes.
Të shtunën e 16 marsit, demonstratat në Serbi arritën kulmin, kur protestuesit dhe liderët e opozitës në Beograd sulmuan Radio Televizionin Publik, çka solli reagimin me forcë të policisë. Pikërisht në të njëjtën ditë, protestuesit në Tiranë u përleshën me policinë përpara godinës së Parlamentit. Kjo lidhje e çuditshme ngre dyshime të forta se pas këtyre protestave qëndron një ndikim i jashtëm, ai rus./TCh