Ballina Aktualitet Shqipëri Tirana festoi 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO (VIDEO)

Tirana festoi 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO (VIDEO)

Shqipëria bën thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut Verior dhe për integrim sa më të shpejtë të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE.

Albanien NATO Flugzeug (Ministry of Defence Repubik of Albania)
Përfaqësues nga 29 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut Verior, autoritetet e larta të Tiranës, ushtarakë dhe diplomatë morën pjesë në festimin që u zhvillua të premten (29.03.2019) në sheshin ” Nënë Tereza” në kryeqytet me rastin e dhjetëvjetorit që anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Krahas paradës së Forcave Ushtarake të Shqipërisë me mjete ushtarake moderne në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në hapësirën ajrore të Shqipërisë edhe në qiellin e Tiranës fluturuan edhe avionët luftarakë të NATO-s. Dhjetëvjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i gjen Forcat e saj të pranishme në të gjithë vatrat e nxehta ku është vendosur NATO-ja si edhe në patrullimin e Detit Mesdhe.

https://youtu.be/uhqYKBhbseo

“Ngjarja më e rëndësishme e kombit”

Në ceremoni ishin të pranishëm presidenti i vendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ndërsa mungonin përfaqësues nga partia demokratike dhe LSI. Presidenti Meta e vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO “si një nga ngjarjet më të rëndësishme te popullit dhe kombit shqiptar.” Meta, i cili është njëkohësisht edhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, tha se “Shqipëria është e gatshme të mbështesë të gjitha sfidat e reja te Aleancës përkrah NATO-s.”

Kryeministri Rama në fjalën e tij të rastit solli në vëmendje rolin vendimtar të NATO-s për paqen që gëzon sot rajoni. “Ballkani që prej pas më shumë 100 vitesh luftë dhe konfliktesh të pandërprera, falë edhe NATO-s, gëzon sot, më në fund, një periudhë paqeje, ripajtimi dhe përpjekjesh për bashkëpunim të ndërsjellët, me një qasje të spikatur integruese ushtarake, ekonomike dhe politike”, tha ai.

“Edhe Kosova në NATO”

Rama vlerësoi anëtarësimin në NATO edhe të Maqedonisë Veriore, si faktor që “ka krijuar një hapësirë të gjerë në Ballkan për NATO-n dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit” dhe bëri thirrje që edhe Kosova t’i bashkohet Aleancës Veriore. “Është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e Aleancës Euroatlantike që Ballkani të mos jetë kurrë më porta përmes të cilës influenca të vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës”, theksoi kryeministri Rama.

Ai vuri në dukje se “Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo thjesht për Kosovën, as vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. “Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është padyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar, përmes të cilit arkitektura e sigurisë europiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit marrin një trajtë të plotë dhe të sigurtë”.

10 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përkon edhe me fillimin e ndërtimit në Kuҫovë, pranë Beratit, të bazës së parë ajrore të Aleancës në rajon që konsiderohet si investim kuptimplotë për rëndësisë strategjike që ka Ballkanit në situatën aktuale gjeo-strategjike lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë e Europës kur aktorë të tjerë synojnë të shtrijnë influencën e tyre në rajon dhe të nxisin destabilitetin.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaҫka, në Konferencën e Nivelit të Lartë me titull: “Shqipëria – 10 vjet në NATO”, të zhvilluar të premten në Tiranë, foli për ndikimin e Rusisë që “arriti të destabilizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të shndërrohej në një rival e një kërcënim për Aleancën, apo Bashkimin Europian”.

Në këto kushte si zgjidhje përfundimtare të situatës Shqipëria sheh për rajonin “integrimin e tij të plotë në strukturat euroatlantike”. “Në fund të ditës, nëse objektivi i rivalëve tanë në rajon është pengimi i integrimit të rajonit si një mënyrë për të shtrirë këtu influencën e tyre, a nuk është integrimi përgjigja më e mirë për këtë kërcënim?” tha ministrja Xhaҫka.

“Integrim më i shpejtë në BE”

Lidhur me perspektivën europiane të Ballkanit, dhe shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur me BE negociatat e anëtarësimit, në qershor ë këtij viti ajo theksoi:

“Garantimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor, konsolidimi i arritjeve demokratike dhe i paqes e stabilitetit nga çdo kërcënim a sfidë, nuk mund të arrihet kurrsesi për aq kohë sa rajoni ynë do të mbetet si një xhep i izoluar e i pa integruar në mes të hapësirës së Bashkimit Europian. Ky lloj vakumi është në fakt një ftesë për rivalët e BE-së, rivalët e NATO-s për ta shtrirë në rajon influencën e tyre.”

Integrimi i Shqipërisë në NATO, më 29 Mars 2009, ishte rezultat i përpjekjeve të të gjithë spektrit politik të Shqipërisë, qeverive te majta the te djathta, që kishin kryer rotacionin e pushtetit në më shumë se dy dekadat e mëparshme. Por dy partitë kryesore opozitare, PD-ja dhe LSI-ja, u qëndruan larg festimeve. Opozita ka hequr dorë nga mandatet parlamentare dhe po proteston që prej 6 javësh për të rrezuar qeverinë Rama, të cilën e akuzon për shitblerje votash dhe korrupsion.