Nga e hëna (më 1 prill), Blerim Reka, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkva e fillojnë fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale.
Blerim Reka është kandidati i përkrahur nga opozita shqiptare, përkatësisht nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, Stevo Pendarovski mbështetet prej LSDM së bashku me BDI, dhe kandidatja e përkrahur nga VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska Davkova e cila poashtu e ka mbështetjen e koalicionit të kësaj partie.
Fushata do të zgjas deri më 19 prill, ku më pas do të ketë heshtje zgjedhore, para ditës së votimit.
Sipas njoftimeve të shtabeve zgjedhore, kandidatët do të vizitojnë thuajse të gjitha vendet e populluara, do të kenë takime me qytetarët dhe mbledhje të mëdha në qytetet më të mëdha. Premtojnë fushatë të qetë dhe korrekte.
Para fillimit të garës në zgjedhjet presidenciale, apele për zgjedhje të rregullta ju dërguan kandidatëve, partive politike dhe qytetarëve bashkësia ndërkombëtare, përfaqësuesit shtetërorë dhe KSHZ.
Rrethi i parë për zgjedhjet presidenciale është caktuar më 21 prill ndërsa i dyti më 5 maj.