Ballina Bota Trump shkarkon shefin e Shërbimeve Sekrete

Trump shkarkon shefin e Shërbimeve Sekrete

Një ditë pas largimit të sekretares për Sigurinë e Brendshme amerikane, presidenti Donald Trump shkarkon edhe shefin e Shërbimeve Sekrete. Ende nuk dihen shkaqet, por burime pranë administratës amerikane flasin për një spastrim në sektorin e sigurisë në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Presidenti Donald Trump ka vendosur të shkarkojë drejtorin e Shërbimeve Sekrete, agjencia që i siguron mbrojtje atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Shteteve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur CNN, një ditë pas largimit të sekretares për Sigurinë e Brendshme, Kirstjen Nilsen.

Trump ka udhëzuar shefin e tij të personelit që të shkarkojë drejtorin Randolf Olls, raporton CNN duke cituar disa burime pranë administratës amerikane. Si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe Departamenti i Sigurisë së Brendshme dhe Shërbimet Sekrete nuk i kanë komentuar lëvizjet e fundit.

Por një zyrtar, në kushte anonimati i ka cilësuar ato si një “spastrim sistematik” që bëhet në fushën e sigurisë. Lidhja mes dy rasteve qëndron në faktin se sipas protokollit zyrtar, shefi i shërbimeve sekrete raporton tek sekretari i Brendshëm.

Nilsen, që u përball më shumë se kushdo tjetër me reagimet negative ndaj politikave anti-emigracion të administratës Trump, dha dorëheqjen ditën e diel pas rritjes së numrit të emigrantëve të mbledhur në kufirin me Meksikën.

Trump, që kërkon rizgjedhjen në vitin 2020, ka zgjedhur një linjë të ashpër ndaj emigracionit që kur mori zyrtarisht detyrën në Janar të vitit 2017 dhe çështja në fjalë ka gjasa të jetë një temë kyçe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm./abcnews.al