Nga Enver Robelli
a) Më 1912, atëbotë ende ekzistonte Perandoria Osmane, në Stamboll u hap aeroporti i parë. Fillimisht vetëm për qëllime ushtarake. Aeroporti u quajt «Yeşilköy» (Fshati i gjelbër). Pas grushtit të shtetit më 1980 aeroporti mori emrin «Atatürk», në kujtim të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne.
b) Më 1933 u themelua Türk Hava Yollari (THY), Turkish Arilines, siç njihet sot me emrin ndërkombëtar. Në fillim kompania kishte 5 avionë.
c) Sot Turkish Airlines ka 333 avionë për transportimin e pasagjerëve dhe mallrave.
ç) Turkish Airlines fluturon në 257 destinacione ndërkombëtare në 124 vende.
d) Në Turqi kompania fluturon në 49 destinacione – nga Izmiri në qytetet në kufi me Sirinë.
dh) Gjatë fundjavës është përmbyllur procesi i bartjes së materialit nga aeroporti i deritanishëm «Atatürk» në aeroportin e ri, i cili do të quhet «Istanbul». U transportuan 47’300 tonelata material.
e) Për ndërtimin e aeroportit të ri qeveria parashihte të harxhonte shtatë miliardë euro. Në fund çmimi i ndërtimit doli 10,5 miliardë euro.
ë) Pesë firma të mëdha ndërtimore dhe të afërta me qeverinë kanë ndërtuar aeroportin e ri.
f) Pas 25 vitesh aeroporti do të kalojë në pronësi të shtetit.
g) Firmat kanë garanci shtetërore për biznes fitimprurës në 12 vitet e para. Firmat paguajnë qira për aeroportin.
gj) Kundër ndërtimit të aeroportit të ri kanë qenë sidomos mbrojtësit e ambientit. Ata u ankuan se do të rrëzoheshin 657 mijë drurë. Qeveria fitoi në gjyq.
h) Në fillim nëpër aeroportin e ri do të kalojnë 90 milionë pasagjerë në vit.
i) Më 2028 është paraparë të përfundojnë punimet për gjashtë pista startuese.
j) Atëherë pritet që përmes aeroportit të Stambollit të kalojnë 200 milionë pasagjerë në vit.
k) Aeroporti i ri ka një sipërfaqe prej 7650 hektarë.
l) Ndërtimi i aeroportit filloi në vitin 2014.
ll) Gjatë ndërtimit 55 punëtorë ndërtimtarie humbën jetën.
m) Tek në vitin 2020 pritet që aeroporti të lidhet me metronë. Deri atëherë do të qarkullojnë autobusët.
n) Nga qendra e Stambollit deri te aeroporti i ri udhëtimi mund të zgjasë deri në një orë e gjysmë, pra dukshëm më shumë se nga aeroporti i deritanishëm «Atatürk».
nj) Nga partia e presidentit Rexhep Taip Erdoan kishte zëra që kërkuan që aeroporti i ri të quhet «Erdoan». Kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
o) Shkurtesa e IATA-s e aeroportit të ri do të jetë IST. Këtë shkurtesë e ka pasur deri më tani aeroporti «Atatürk», i cili në të ardhmen do të ketë shkurtesën ISL.
p) Në aeroportin «Atatürk» edhe më tutje do të aterrojnë avionët me mallra dhe avionët me personalitete të rëndësishme (VIP).
q) Aeroporti i ri do të ketë shtatë terminale…
r) …dhe 570 sportele për check-in…
rr) …si dhe 228 kabina për kontrollin e pasaportave.
s) Aktualisht aeroporti më i madh në botë është ai në Atlanta të SHBA-së. Deri në vitin 2028 Stambolli tenton t’i dalë para Atlantës.
sh) Aeroporti i ri i metropolit turk dëshiron t’i bëjë konkurrencë Frankfurtit, Londrës dhe Dubait.
t) Aeroporti i ri u hap më 29 tetor, në Ditën Kombëtare të Turqisë. Deri më tani ka punuar me kapacitet të reduktuar.
th) Një firmë gjermane e ka këshilluar Turkish Airlines mbi organizimin e bartjes së mallrave nga aeroporti i vjetër në të riun.
u) Avioni i fundit me pasagjerë që startoi në aeroportin «Atatürk» ishte TK54 me destinacion Singaporin.
v) Sipas disa parashikimeve deri në përfundimin e të gjitha punimeve në aeroport shpenzimet mund të arrijnë në 32 miliardë euro.
x) Transferi nga aeroporti i vjetër në të riun u krye për 45 orë.
xh) Një shofer e uli shpejtësinë për të fotografuar avionin e fundit që po nisej nga «Atatürk». Tetë vetura u përplasën mbi njëra-tjetrën si pasojë e shoferit të papërgjegjshëm. Ky ishte aksidenti i vetëm gjatë bartjes së mallrave dhe infrastrukturës së aeroportit.
y) Më 2018 në aeroportin «Atatürk» aterruan apo u larguan 68 milionë pasagjerë.
z) Punëtorët që protestuan kundër kushteve të punës në kantierin e aeroportit të ri u arrestuan. 61 prej tyre do të dalin para gjyqit.
zh) Distanca nga Sheshi Taksim i Stambollit deri në aeroportin e ri është 44 kilometra.