Autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup është shndërruar në një tmerr të vërtetë për vozitësit, kurse në pjesën nga Gostivari në Tetovë pritet të bëhet një investim për të përmirësuar infrastrukturën e dëmtuar dekada me radhë
Urim HASIPI
Tetovë, 9 prill – Autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup është në gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së investimeve reale në aspektin e mirëmbajtjes së të njëjtës. Ky aks rrugor që lidh Maqedoninë Perëndimore me kryeqytetin Shkupi, është arenë e aksidenteve të përditshme ndërsa nuk mungojnë edhe aksidentet me kafshët që kanë qasje në këtë autostradë, pasi që janë dëmtuar të gjitha mburojat që pengojnë qasjen e kafshëve në këtë rrugë. Gati se gjysma e aksidenteve që ndodhin në autostradë, ndodhin afër pikave të pagesës, shkruan gazeta KOHA.
Pikat e pagesës në Gostivar, Tetovë dhe Zhelinë janë shndërruar në arenë të aksidenteve ku edhe këtë vit është shënuar edhe viktima e parë, një grua 51 vjeçare nga Kërçova. Raportet e policisë së Tetovës japin shifra në rritje të aksidenteve pranë këtyre pikave të pagesës. Sipas informacioneve zyrtare, në tre vitet e fundit shënohet rritje evidente e aksidenteve të trafikut, sidomos në pikën e pagesës së Tetovës. Rritje shënon edhe numri i aksidenteve në përgjithësi në autostradë. “Në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, në rajonin e Tetovës gjatë vitit 2017 janë regjistruar 150 aksidente. Në afërsi të pikës së pagesës në Zhelinë janë regjistruar 7 aksidente, me tetë persona të lënduar.
Në pikën e pagesës në Tetovë numri i aksidenteve ka qenë 12, me tetë persona të lënduar. Në vitin 2018 në këtë autostradë janë regjistruar 172 aksidente. Në afërsi të pikës pagesore në Zhelinë janë regjistruar 11 aksidente me 3 persona të lënduar, ndërsa në pikën e pagesës në Tetovë 12 aksidente me 10 të lënduar. Në tre muajt e parë të këtij viti, gjithsej numri i aksidenteve në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup është 31. Në afërsi të pikës së pagesës në Zhelinë ka ndodhur një aksident me një person të lënduar, kurse në pikën e pagesës në Tetovë 4 aksidente ku është regjistruar edhe një viktimë në muajin prill”, tha Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë. Në ndërkohë, në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, në pjesën e Gostivarit, gjatë vitit 2017 janë regjistruar 24 aksidente, 22 në vitin 2018, kurse në tre mujorin e parë 6 aksidente. Bilanci i viktimave nuk është më i mirë as në vitin 2016, kur në këtë autostradë jetën e kanë humbur tre viktima.
Nga policia nënvizojnë se në vitin 2016 numri i përgjithshëm i aksidenteve ishte 161, ndërsa kishte tre viktima.
“Tre prej tyre që kanë ndodhur në qershor, korrik dhe shtator, për fat të keq kanë përfunduar me tre viktima në njerëz, shifër kjo e cila vet në vete është alarmante. Këto aksidente në të shumtën e rasteve kanë ndodhur si pasojë e vozitjes së shpejtë, që ka kontribuar tek vozitësit të humbin kontrollin e tyre mbi automjetet, dhe jo rrallë herë si pasojë edhe të dalin nga rruga apo të godasin në gardhet mbrojtëse të autostradës. Për shkak të kësaj, Sektori për punë të brendshme në Tetovë sërish apelon deri tek vozitësit që të jenë jashtëzakonisht të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, si dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës”, nënvizojnë nga policia e Tetovës. Kësisoj autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup është shndërruar në një tmerr të vërtetë për vozitësit, kurse në pjesën nga Gostivari në Tetovë pritet që të bëhet një investim për të përmirësuar infrastrukturën e dëmtuar dekada me radhë. Gjatë katër viteve të kaluara, në pikën e pagesës rrugore në hyrje të Tetovës janë aksidentuar edhe liderë të partive shqiptarëve në Maqedoni, por që kanë kaluar pa lëndime serioze. (koha.mk)