Në avionin e pasagjerëve që do të nisej drejt Vjenës në orën 15:05, ku u grabitën miliona euro ka qenë edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Lajmin e bëri të ditur në studion e “Dritare” në News 24, gazetarja Klodiana Lala, e cila tha se në Llalla do të udhëtonte drejt Austrisë.
Ngjarja
Katër grabitësit kanë arritur të futen në pistën me anë të një fugoni me simbolet e “Hetimit Tatimor”.
Pasi kanë arritur të futen në ambientet e brendshme, duke përdorur derën e zjarrfikëseve, katër autorët të veshur si forca komando dhe me maska, kanë arritur të grabisin paratë që po dërgoheshin për t’u imbarkuar në avion.
Forcat e sigurisë së kompanisë private që ruan aeroportin nuk i ka vënë re duke qenë se ishin të veshur me rroba komando të ushtrisë, të dala jashtë përdorimit.
Me të hyrë, grabitësit kanë shkuar tek pjesa e “barkut” të avionit duke marrë një sasi të konsiderueshme parash. Ishin disa banka që po transportonin kartëmonedhat jashtë vendit. Grabitësit kanë arritur të marrin një pjesë të tyre.
Në momentin që po grabitej shuma e parave, punonjësi i zjarrfikëses ka thënë se është prerë dera dhe biseda është dëgjuar nga FNSH-ja dhe policia e Rinasit, të cilët janë vënë në lëvizje.
Pasi janë vënë në ndjekje të autorëve, policia ka parë grabitësit në përpjekje për të djegur furgonin me të cilin ishin marrë paratë në aeroport. Me të pikasur forcat e rendit, ka nisur përplasja me armë, duke i shkaktuar vdekjen njërit prej tyre.
Grabitësit po i priste një tjetër mjet ku kanë ngarkuar paratë dhe janë larguar, duke braktisur furgonin e parë pa e djegur atë.
Duke qenë se policia nuk kishte fushëpamje të mjaftueshme janë tërhequr përkohësisht, për të vëzhguar autorët e grabitjes, të cilët janë larguar për në fshatin Çekrezë me makinën e dytë. Atje, e kanë djegur atë dhe janë arratisur përfundimisht në drejtim të paditur.