Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar sot seanca e parë e padisë për shpifje e kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Në seancë nuk kanë qenë të pranishëm as Rama dhe as Basha, ndërsa të dy politikanët e lartë përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.
Gjyqtari i çështjes Flamur Kapllani ka njohur palët me akuzat duke dhënë edhe mundësinë e pajtimit të palëve, gjë që nuk është pranuar.
Padia e Ramës është dorëzuar pas statusit të Bashës për çështjen “Babale”, shpifje për të cilën kryeministri Rama kërkon një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh.
Kjo është padia e 4-të që Rama ka depozituar në gjykatë kundër Bashës, ndërkohë që ndaj ish-kryeministrit Berisha ka ngritur dy padi të tjera.
Në të gjitha paditë, Rama pretendon se i është shkaktuar dëm për shkak të shpifjeve.