Kandidati i parë shqiptar për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka i është përgjigjur deklaratës së kryetarit të BDI-s, Ali Ahmetit, kur ka thënë se: “sikur të mos e kishte propozuar BDI për ambasador në Bruksel, Reka nuk do të ishte këtu ku është sot”.
Reka ka pohuar për KosovaPress se është e vërtetë që në vitin 2005, është propozuar për ambasador nga BDI, porse ka shtuar se atëbotë nuk kishte kandidat më të denjë për atë pozitë.
Kur flet për garën aktuale, Reka kritikon BDI-në që po e mbështet kandidatin maqedonas për president të vendit, në vend se t’i dilte ish të propozuarit të saj të dikurshëm për ambasador në Bruksel, përcjell portali “tetova1”.
“Në atë kohë shqiptarit i takoi posti i ambasadorit në Bruksel dhe duke pasur parasysh se në vitin 2005, kur janë bërë negociatat për këtë post në BE, unë kam qenë i vetmi profesor i lëndës ‘E drejta e Bashkimit Evropian’, kam qenë autor i 19 librave nga fusha e BE-s, dhe nuk di se cili do të duhej të ishte ambasador në atë kohë, me këtë përgatitje profesionale dhe shkencore, që ka të bëjë me integrimet evropiane.
Edhe tash e them, as nuk kam qenë dhe as nuk jam anëtar i BDI-së, dhe krejt në fund, nëse BDI thotë se ka qenë propozim i tyre Blerim Reka, pse BDI-ja nuk doli me propozim Blerim Rekën për president të shtetit, por e përkrah Pendarovskin, i cili nuk është as anëtar i tyre, por është qytetar maqedonas që është anëtar i LSDM-s”, thotë ai.Ndryshe, BDI publikisht ka dalë në mbështetje të kandidatit maqedonas Stevo Pendarovski nga radhët e LSDM-s.