Vazhdojnë të publikohen informacione sensitive mbi grabitjen e Rinasit, që pas “hapjes së thesit” nga Alkond Bengasi, i cili nxori në dritë të gjithë skemën e ideuar nga Admir Murataj me pseudonimin “Daja”.
Një nga personazhet që është angazhuar më tepër ditën e grabitjes ka qenë padyshim 31-vjeçarja E. Bici.
Ish-efektivja e policisë, sipas TV Klan rezulton të jetë një njohje e vjetër e Admir Murataj dhe grupit të tij.
Madje ka dyshime të forta se 31-vjeçarja ka pasur një lidhje intime me njërin nga anëtarët e bandës që grabiti 6.7 milionë euro në Rinas.
Gjithashtu është zbuluar se E. Bici ka marrë pjesë edhe në grabitjen e 9 Shkurtit 2017, ku në Qafë Kashar grupi i Klement Çalës dhe Dash Kupës grabitën rreth 3,8 milionë euro.
Edhe në këtë ngjarje, ajo ka qenë e ngarkuar me transportin e parave siç bëri më 9 prill, pasi ishin nxjerrë thasët me para nga avioni i “Asutrian Airlines”.
Gjithashtu dyshohet se largimi i saj nga puna si efektive në Policinë e Shtetit, përkon me grabitjen e parë, që ka bërë grupi i Admir Muratajt në 2015, teksa hynë në një bankë të nivelit të dytë pranë Stacionit të Trenit.