Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga Traktati i OKB-së për Tregtinë e Armëve i vitit 2013, i cili u krijua me synimin për të penguar kontrabandën e armëve që të mos binin në duart e grupeve të armatosura ekstremiste. Presidenti e bëri njoftimin dje gjatë një takimi me anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Armëve.
Kjo shoqatë është një grup i fuqishëm lobist që synon të mbrojë të drejtën e armëmbajtjes, të sanksionuar në billin e të drejtave të Kushtetutës Amerikane.
Presidenti tha dje se administrata e tij nuk do ta ratifikojë kurrë traktatin. Administrata Obama e nënshkroi traktatin e OKB-së për Tregtinë e Armëve në 2013, por ai nuk u ratifikua ndonjëherë në senat.
Shoqata Kombëtare e Armëve dhe grupe të tjera konservatore e kundërshtojnë traktatin, pasi e shohin si një masë që mund të dobësojë të drejtën e armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara. Komentet e Presidentit Trump shihen si përpjekje për të forcuar mbështetjen në radhët e zgjedhësve amerikanë që besojnë me forcë tek e drejta e armëmbajtjes.