Perandori japonez Akihito ka nisur ritualet për abdikimin e tij.
Akihito, 85 vjeçar, vizitoi memorialin kryesor të Kashikodokoro për të raportuar abdikimin ndaj perëndive, hapi i parë në një ditë ritualesh që do të kulmojnë në mesnatë, kur djali i tij Princi i Kurorës Naruhito do të fillojë mbretërimin e tij si perandor i ri i Japonisë.
Naruhito, 59 vjeç, do të bëhet perandori i 126-të në monarkinë më të vjetër të trashëguar në botë.
Në ceremoninë kryesore të abdikimit në Pallatin Perandorak pritet të marrë pjesë kryeministri Shinzo Abe, kryetarët e të dyja dhomave të parlamentit dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme.
Abe do të njoftojë abdikimin dhe Akihito pritet të bëjë deklaratat e tij të fundit publike si perandor.
Akihito u bë perandor në vitin 1989 dhe gjatë sundimit të tij i kushtoi shumë kohë kapërcimit të trashëgimisë së rolit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Një sondazh i kohëve të fundit tregoi se familja perandorake gëzon 80 për qind të mbështetjes publike, nivel ky më i larti i mbështetjes i regjistruar ndonjëherë.
Akihito do të marrë titullin e perandorit emeritus, por nuk do të ketë detyra zyrtare.
Akihito njoftoi synimin e tij për të abdikuar në 2016, duke thënë se ai kishte frikë se shëndeti i tij nuk do të lejonte që ai të kryej detyrat e tij.