RDK-ja dhe kreu i saj Vesel Memedi lëshojnë qeverinë dhe Kuvendin tani që është dorëzuar inciativë që t’ju merret Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Në një konferencë për mediat Memedi hodhi dyshime për marrëveshje të mundshme mes LSDM-së dhe BDI-së që palës shqiptare t’i merret ky dikaster, pas fushatave, siç i quajti ai, nga nëntoka, dhe tentimeve për të ulur figurën e ministrit të deritanishëm Suhejl Fazliu. Ai kërkoi nga kryeministri Zaev të tërheqë propozimin dhe kërkoi nga BDI-ja të mos e votojë atë.
Për ta dëshmuar këtë vlerë të lartë, sot do të dorëzojmë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha drejtoritë dhe këshillat drejtues të alokuara dhe kulminacioni i kësaj vlere sublime është tërheqja nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit si dhe dorëzimi i mandatit të deputetit në Kuvendi- deklaroi Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.
Memedi shtoi se partisë së tij nuk i interesojnë postet por se nuk ka mandat për të bërë pazare të cilat sipas tij, i ka kërkuar kryeministri. Ai, me ton mallkues, deklaroi se ata që tentojnë të përfitojnë në llogari të të ndershmive, do ta pësojnë tek fëmijët.
Në politikën tonë partitë politike janë shndërruar në makinë larëse, futesh i zi, del i bardhë sepse propaganda partiake kri*minelin e shet për të ndershëm, të ndershmin e shndërron në kri*minel. Është përgjegjësi para Zotit dhe para popullit se çdo lider politik apo fetar mos të bëjë pazare me fytyrën dhe nderin e të ndershmive sepse herëdo kurdo u kthehet të fëmijët e tyre me një çmim shumë më të lartë- tha Vesel Memedi.
Në vend të Suhejl Fazliu, kryeministri Zaev ka propozuar që ministër të jetë Goran Milevski, deri tani, deputet nga radhët e shumicës. Pas Memedit, në listën e kandidatëve për deputetet nga koalicioni parazgjedhor mes RDK-së dhe Aleancës për Shqiptarët është Arta Toçi nga radhët e partisë së Selës.