Në momentin që jemi duke ngrënë një frut, askujt nuk i shkon ndërmend se brenda një kokrre lajthie apo ulliri, gjenden vitamina të shumta, që ndihmojnë organizmin të punojë në mënyrë të shëndetshme. Pa e ditur se me lëngun e degëve të dardhës, mund të ulim temperaturën që i ka kaluar të 40 gradët, edhe pse kemi pirë antibiotikë pa fund. Apo, se me çajin që përftohet nga thana, manat, degët e ullirit mund të kurohen sëmundje të tilla si mëlçia, ulcera në stomak, skleroza, etj. Madje ka fruta të cilat rekomandohen nga Mjekësia Popullore edhe për kurimin e sëmundjeve më të rënda, si ato të zemrës, tensionit, anemisë, kancerit. Ajo që është më e rëndësishme, mbi të cilën bien dakord, si Mjekësia Popullore, ashtu edhe ajo moderne e ditëve të sotme, lidhet me faktin se në tryezën tonë nuk duhet të mungojnë në asnjë vakt frutat. Larmia e tyre duhet të jetë e madhe, kjo edhe për faktin se organizmi i njeriut asimilon gjithçka, duke i shndërruar ato në vitaminat dhe karbohidratet bazë për mirëfunksionimin e të gjitha organeve. Të sëmurët anemikë duhet të konsumojnë ushqime të pasura me hekur, si: mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Këtyre të sëmurëve u këshillohet përdorimi i frutave të freskëta, që përmbajnë vitamine C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit.
Nëse pinë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrin dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit. Në numrin e këtij suplementi, janë përzgjedhur disa nga ushqimet bazë të cilat luftojnë sëmundjen e anemisë dhe ndihmojnë të gjithë pacientët kronikë të kësaj sëmundje ta ndjejnë sa më pak atë. Gjithçka përgatitet dhe konsumohet në kushtet e shtëpisë, pa shpenzime të mëdha financiare. Pikërisht për këtë arsye, redaksia publikon një suplement të veçantë për të gjitha frutat, që përdoren nga Mjekësia Popullore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme dhe veçanërisht për sëmundjen e anemisë. Kush janë frutat bazë, si përgatitet çaji kurues, cilat janë sëmundjet që ato shërojnë dhe sa është kohëzgjatja e zierjes, masa e duhur dhe si duhet pirë çaji. Rastet në të cilat duhet përsëritur kura me çajrat e frutave, si dhe ndarjet sipas kategorisë, në frutat të cilave iu zihen rrënjët dhe kërcelli, dhe ato të cilave iu zihen lëkurat, apo edhe vetë kokrrat. Si të përgatisni çajrat me fruta për të kuruar sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetin, kanceret, sëmundjet e trurit e shumë të tjera. Pjesët e bimës që duhet zier dhe sasia që duhet përdorur. Këshillat më të fundit që japin mjekët për këdo që dëshiron një shëndet të mirë dhe një jetë të gjatë e pa probleme. Si të jetoni të lumtur dhe të mbani larg sëmundjet dhe shqetësimet e ndryshme. Si të konsumoni ushqimet e duhura në mënyrë që të jeni sa më të shëndetshëm. Çfarë këshillojnë mjekët popullore për efekte kuruese të frutave. Disa mënyra të thjeshta për të luftuar sëmundjet. Gjithçka në numrin e sotëm në një suplement prej pesë faqesh. Do të gjeni disa receta të thjeshta të mjekësisë popullore për përgatitjen e çajrave me fruta kuruese dhe këshillat më të fundit.
ULLIRI
Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.
Kuron:
1-Arteriosklerozën
2-Tensionin e lartë
3-Ul temperaturën e lartë
4-Pakëson sasinë e sheqerit në gjak
5-Rregullon metabolizmin
6-Rekomandohet për ekzemat në lëkurë
7-Kuron stomakun
Si përgatitet çaji:
Merren 40-50 copë gjethe dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Nga çaji i përgatitur pihen 1-2 filxhanë çaji në ditë, pasi filtrohet dhe i shtohet sheqer. Kokrrat e ullirit bëjnë mirë kur i konsumojnë ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit. Është e këshillueshme që diabetikët të hanë sidomos kokrra jeshile, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti. Çaji për tensionin fillimisht përgatitet me 20 gjethe ulliri në një litër ujë. Pastaj shtohen nga 5 gjethe çdo ditë, derisa të arrihen në 120 gjethe. Në të gjitha rastet çaji zihet derisa të mbeten ¾ e ujit. Prej tij pihen dy gota: Një në mëngjes para buke dhe një në darkë para gjumit. Për stomakun merren 100 gjethe ulliri dhe zihen në një litër ujë derisa të përgjysmohet sasia e ujit. Pasi kullohet, pihet nga një filxhan esëll në mëngjes.
MANI I ZI
Manat përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Në ditët e ngrohta të verës ato përdoren për të shuar etjen. Pekmezi (shurupi i manave) përdoret në stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes. Pekmezi përdoret gjithashtu në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë. Manat e papjekura përdoren për luftimin e krimbave parazitarë të aparatit tretës.
Kuron:
1-Tensionin
2-Mëlçinë
3-Sëmundjet e flokëve
4-Pagjumësinë
Si përgatitet çaji:
Gjethet e manit përdoren për uljen e tensionit të lartë të gjakut. Çaji përgatitet si vijon: merren 5-6 gjethe të pastra dhe zihen në 150 ml. ujë derisa të mbetet një e treta e ujit. Kullohet dhe pihet njëherësh. Mjekimi vazhdon për 5-6 ditë. Për sëmundjen e mëlçisë veprohet në këtë mënyrë: Merren dy grushte filiza të rinj manash, nga ata që nuk kanë filluar të prodhojnë fruta dhe copëtohen. Vihen të zihen në një litër ujë për një orë. Nga lëngu i fituar merret nga një lugë gjelle 3-4 herë në ditë. Kundër sëmundjeve të mëlçisë përdoren edhe gjethet e manit, duke i përgatitur si më lart. Ndërsa për ngjyrosjen e flokëve këshillohet përdorimi si vijon: Merren gjethe të manit të zi dhe zihen me ujë shiu, së bashku me gjethe hardhie dhe gjethe fiku të zi. Me lëngun e fituar bëhet korja e kokës. Edhe mani i bardhë ka pothuajse të njëjtat veti që ka mani i zi.
MANDARINA
Frutat e mandarinës janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë.
KURON:
1-Aneminë
2-Pastrojnë Gjakun
3-Stabilizojnë metabolizmin
4-Rregullojnë tensionin e lartë
Si përgatitet çaji:
Zakonisht mjekësia popullore e ka përdorur këtë lloj fryti në formën e vet origjinale. Për këtë arsye kryesisht për ata që kanë probleme me aneminë ose sëmundjet e tjera të gjakut, këshillohet që mjekimi me mandarina duhet të vazhdojë 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli.
Filizat e reja dhe të frutit të mandarinës të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulçerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.
THANA
Kokrrat e thanës përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, vitaminë C etj. Thanat jo vetëm që hahen të freskëta, por ato bëhen komposto, prevede, marmelatë. Gjethet dhe lëvorja e thanës përmbajnë rreth 10-15% taninë. Iu këshillohet kryesisht personave që kanë probleme me diarrenë.
Kuron:
1-Diarrenë
2-Ekzemën
3-Normalizon qarkullimin e gjakut
4-Rregullon metabolizmin
Si përgatitet çaji:
A)Merren 1 kg. thana të pjekura dhe zihen me sheqer. Nga reçeli i përgatitur u jepen fëmijëve dy lugë kafeje në ditë. Për të shuar etjen te të sëmurët me asht (që kanë mbledhur ujë në bark), këshillohet të merren një grusht thana gjysmë të pjekura ose të thata dhe vihen të zihen në një litër ujë për një orë dhe pastaj kullohen. Ky lëng përzihet me lëngun e përfituar nga shtrydhja e shegëve të egra. Nga kjo përzierje lëngjesh të tharta, merret nga një lugë gjelle sa herë që i sëmuri ka etje për ujë.
B)Edhe bërthamat e frutave të thanës kanë veti të mira rrudhëse dhe ndalojnë të hequrit e barkut: merren 300 gramë bërthama të thanës dhe piqen si kafeja, derisa të marrin ngjyrë të zezë, bluhen në mullirin e kafesë. Mielli i përfituar përzihet me 1 kg sheqer. Fëmijëve u jepet tri herë në ditë 1/3 e lugës së kafesë, në formë pluhuri ose e tretur në ujë. Të rriturit marrin nga një lugë gjelle tri herë në ditë.
C)Edhe kërpudha e thanës (eshka) jep rezultate të mira kundër ekzemës së lëkurës: merren 30 gramë eshkë thane dhe zihen në 200 ml. ujë. Lëngu i fituar pihet me nga një filxhan kafeje në mëngjes esëll.
VISHNJA
Frutat e vishnjës janë të shijshme, përdoren për të kuruar mëlçinë, pastrojnë gjakun dhe luftojnë aneminë. Veç të tjerash konsumimi i tyre rekomandohet për të gjithë ata që kanë probleme me tretjen. Ky lloj fruti përmban acide organike me shumicë, vitamina A, C, P, PP, B1, B2 etj. Me bishtat e frutave mjekët popullorë kanë luftuar me sukses gurët dhe rërën e veshkave.
KURON:
1. Mëlçinë
2. Pastrojnë gjakun
3. Luftojnë aneminë
4. Tretet shpejt nga stomaku
Si përgatitet çaji:
Mjekësia popullore e përdor frutën e vishnjës për kurimin e sëmundjeve, vetëm në formën e një çaji. Për këtë duhet të merren 1-15 gramë bishta vishnje dhe zihen në 200 ml ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë fillestare të ujit. Çaji pihet i ngrohtë, para buke, duke e përsëritur 2-3 herë gjatë ditës, për 10-15 ditë radhazi. Frutat e vishnjës janë freskuese, shuajnë etjen, pranohen mirë nga stomaku, ndihmojnë tretjen, dhe kur përdoren në mënyrë sistematike, ndikojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë, pastrojnë gjakun duke e pasuruar atë me elemente të reja dhe luftojnë aneminë. Në këto raste këshillohet të konsumohen deri në gjysmë kilogramë vishnjë të freskëta në ditë, duke vazhduar mjekimin për 15-20 ditë. Frutat e vishnjës kanë veti direkte, ato këshillohen t’i konsumojnë ata që vuajnë nga veshkat. Vishnja ka të gjitha vlerat ushqimore e dietike dhe vetitë farmaceutike që ka qershia, por ajo i ka më të theksuara vetitë rrudhëse e freskuese.
SHEGA
Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Ai (lëngu i portokallit) i jep freski mendimit të njeriut. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
KURON:
1-Sëmundjet e stomakut
2-Sëmundjet e zorrëve
3-Dhimbjet e barkut
4-Hemorroidet
5-Ënjtjen e bajameve
6-Acarimin e mishrave të dhëmbëve
Si përgatitet çaji:
Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.
PORTOKALLI
Portokallet janë një ushqim i pasur me vitamina, me veti freskuese dhe treten lehtë në stomak. Lëngu i portokallit ka veti diuretike (Diuretik: Mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe antiseptike (Antiseptik: Që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to.
KURON:
1-Gurët në veshka
2-Aneminë
3-Laringun
(kur iu ikën zëri)
4-Nervozizmin
Si përgatitet çaji:
Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të rinj. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Në 100 ml. lëng portokalli përmbahen 56 mg. vitaminë C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive. Lëngu i fituar nga zierja e lëvozhgave përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve. Ndërkohë që për sëmundjet e laringut mjekësia popullore këshillon që të merren 10-15 gramë lëvozhga frutash të vihen të zihen për 15-20 minuta në 250 ml. ujë. Nga lëngu i përfituar pihen 1-2 gota në ditë. Kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri.
MANAFERRA
Frutat e manaferrës përmbajnë
sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës.
Kuron
1-Ul temperaturën
2-Ataket kardiake
3-Diabetin
4-Astmën
5-Tretjen e ushqimeve
Si përgatitet çaji:
Merren 6-10 gramë gjethe dhe zhyten në një gotë me ujë të valuar, duke i lënë aty për 10 minuta. Gjatë ditës pihen 1-2 gota të tilla, në gjendje të vakët. Ky infuz (ose i përgatitur në formë çaji) rekomandohet të pihet në rastet kur personi ndien djegie në stomak e në zorrë, në raste thartirash, diarresh, si dhe në formë gargarash (shpëlarje e gojës dhe e grykës), kur ka djegie në gojë, në fyt, në mishrat e dhëmbëve. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.
PJESHKA
Ky lloj fryti rekomandohet të përdoret kryesisht i freskët ose lëng frutash. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10% sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj. Lulet e pjeshkës kanë veti tonike dhe rrudhëse dhe përdoren në formë çaji. Lulet e thara e të kthyera në formë pluhuri, rekomandohen kundër kolitit, dhimbjeve të barkut, rrjedhjes së të bardhave, kundër hemorragjive dhe hemorroideve.
KURON:
1-Kolitin
2-Dhimbjet e barkut
3-Hemorragjitë
4-Hemorroidet
Si përgatitet çaji:
Çaji përgatitet duke marrë 50-70 gramë lëvore degësh, të cilat zihen në 200 ml. ujë, gjersa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i frutave dhe vetë frutat e pjeshkës kanë veti të mira tonike, janë freskuese, shuajnë etjen dhe hapin oreksin. Ato bëjnë mirë në mëlçi dhe ndihmojnë në forcimin e elementeve të reja të gjakut. Gjethet e pjeshkës përdoren në ndalimin e rrjedhjes së gjakut nga plagët. Në këtë rast këshillohet të merren një sasi gjethe pjeshke dhe pasi pastrohen, shtypen bashkë me kripë dhe vendosen mbi plagë.
LULESHTRYDHJA
Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, hulinën, etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave me luleshtrydhe, por që nuk përmbajnë gaz.
KURON:
1-Pastron gjakun
2-U rekomandohet anemikëve
3-Stabilizon nivelin e kolesterolit në gjak
4-Rekomandohet edhe si lëng frutash i shtrydhur
Si përgatitet çaji:
Në gjysmë litri ujë hidhen 100 ml. uthull. Në përzierjen uthull-ujë zihen për gjysmë ore 50-60 gramë rrënjë luleshtrydhe. Me lëngun e fituar bëhen shpëlarje të gojës 2-3 herë në ditë. Filizat e reja dhe majat e luleshtrydhes të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulcerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.
MOLLA E EGER
Frutat e mollës së egër përdoren me efekt në rastet e diarresë, si dhe kundër acarimeve të grykës e faringut, me anë gargarash (shpëlarje e gojës). Edhe lëvorja e degëve ka veti rrudhëse dhe përdoret me rezultate të mira kundër etheve. Molla e egër takohet si dru jo i lartë ose si shkurre.
KURON:
1-Ethet
2-Aneminë
3-Erën e rëndë të gojës
4-Diarrenë
Si përgatitet çaji:
Merren 60 gramë lëvore dhe vihen të zihen në 150 ml ujë. Çaji i përgatitur pihet njëherësh dhe përsëritet 2-3 herë në ditë. Përfundime shumë të mira mollët e tharta kanë dhënë kundër sëmundjes së sheqerit. Ky lloj çaji rekomandohet nga mjekësia popullore të përdoret për 10 ditë rresht nga të gjithë ata persona që kanë probleme me diarrenë, erën e rëndë të gojës, me aneminë, si dhe në rastet kur personi i sëmurë është me ethe. Kura përsëritet pas një jave pushim, në rast se nuk ka dhënë efekt të menjëhershëm. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e mollës së egër, të cilat mblidhen pasi piqen dhe marrin ngjyrë verdhake. Ato vihen një nga një me dorë, pa i dëmtuar, në mënyrë që të ruhen për një kohë sa më të gjatë. Ruhen në kashtë. Përdoren edhe lëvoret e degëve.
MOLLA
Molla si fryt ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Frutat përmbajnë rreth 15% sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, janë të pasura në karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë. Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë.
KURON:
1-Hemorroidet
2-Reumatizmin
3-Kollën
4-Sëmundjet e syve
5-Dhimbjet e veshit
6-Kundër helmimeve
Si përgatitet çaji:
Merren 1-22 kokrra mollë, priten në 2-3 copë secila dhe zihen për 30-40 minuta në 200 ml. ujë. Çaji i mollës ndihmon gjithashtu edhe për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve. (Ky çaj për kollën dhe reumatizmin). Kurse për hemorroidet vlen këshilla: Merren 1-2 kokrra mollë dhe me anën e rendes kthehen në pure. Pureja e përgatitur, pasi zihet për gjysmë ore, përzihet me 20-30 gramë gjalpë dhe hahet njëherësh, duke qenë esëll. Mjekimi mund të vazhdojnë 20-25 ditë me një ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kundër helmimeve merren 20 copë gjethe molle, thërrmohen dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë. Lëngu i fituar pihet në formë çaji. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut. Ky çaj përdoret për të zbutur e për të pakësuar të kollurit, kundër zënies së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të vetë mushkërive.
LIMONI
Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën. Efekt të dukshëm japin në hipo dhe avitaminozat. Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj a në gjellë.
KURON:
1-Mëlçinë
2-Reumatizmin
3-Gurët në veshka
4-Gripin
Si përgatitet çaji:
Merret një kokërr limoni me madhësi mesatare, pritet në mes në drejtim të gjerësisë dhe të dy gjysmat vendosen në një pjatë mbi zjarr derisa të ngrohet lëngu që përmbajnë. Pastaj, nga pjesa e prerë, të dy gjysmat, të ngrohta, vihen në të dy anët e qafës, në vendet mbi bajamet, lidhen me garzë dhe lihen aty derisa të ftohen. Ky veprim përsëritet për 2-3 ditë, në darkë para gjumit. Limoni përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Më tepër rezultat ka dhënë kombinimi që vijon: Për 20-30 ditë rresht, çdo ditë në mëngjes, një orë para buke, pihet lëngu i një kokrre limoni së bashku me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle mjaltë. Kjo këshillë përdoret edhe nga organizmat e dobësuar, ata që kanë kaluar ndonjë sëmundje, për rivendosjen e oreksit dhe të shëndetit të tyre. Kundër reumatizmit merren 1-2 kokrra limon dhe pasi lahen mirë, pa hequr lëvozhgën, grihen në rende. Brumi i fituar, pasi i shtohen 1-2 lugë kafeje sheqer, hahet esëll në mëngjes ose në orët e pasdites. Ky veprim përsëritet çdo ditë për 20-30 ditë.
Qitro
Është një frutë me origjinë greke, në pamje të parë ngjan me portokallin, por ka një shije më të athët se agrumi tjetër i ngjashëm. Mjekësia popullore tregon se kjo lloj frute, e cila e ka kohën e vet në vjeshtë, ndihmon veçanërisht në tretjen e ushqimit. Gjithashtu pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishi i dhëmbëve, si dhe shëron ftohjen dhe bën të mundur stabilizimin e kolesterolit.
KURON:
1-Ndihmon në tretjen e ushqimit
2-Pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishrat e dhëmbëve
3-Stabilizon kolesterolin
4-U rekomandohet personave që kanë mangësi me sheqerin
Si përgatitet çaji:
Për të gjithë ata persona të cilët kanë vështirësi në tretjen e ushqimit, rekomandohet të përdoret këshilla që vijon:
100 gramë rrënjë qitro zihen në 500 ml ujë derisa të avullohet gjysma e tij. Lëngu i përfituar, pasi filtrohet, përzihet me një sasi të barabartë vere të kuqe të vjetër. Merren 1-2 gota në ditë. Edhe pse në shije jo fort e ëmbël, qitro iu rekomandohet edhe personave që e kanë nivelin e sheqerit të ulët. Pasi në përbërjen e tij, fruta ka shumë glukozë.
KAJSIA
Frutat e kajsisë janë të shijshme, automatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit. Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë.
Bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato piqen dhe hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.
KURON:
1-Sëmundjet e mëlçisë
2-Dhimbjet e kokës
3-Pastrojnë gjakun
4-Laringun
Si përgatitet çaji:
Merren 1 kilogramë kajsi dhe zihen përreth 2 orë e gjysmë, më pas ato lihen të kullohen dhe futen në një shishe ose enë qelqi, në mënyrë që çaji të qëndrojë sa më i freskët. Ai duhet pirë dy herë në ditë në mëngjes dhe në darkë, dhe këshillohet kryesisht për të gjithë ata që kanë probleme me mëlçinë dhe sëmundjet e gjakut. Madje për këto dy lloj kategorish, rekomandohet që çaji i kajsisë të përdoret çdo ditë, pasi përveç vlerave ushqyese që ka, rregullon edhe funksionimin e metabolizmit në organizëm. Përveç sëmundjeve të lartpërmendura, çaji i kajsisë kuron edhe dhimbet e kokës, madje mjekësia popullore rekomandon që ky frut në përdoret edhe në gjendjen e vet natyrale në raste të dhimbjeve të kokës apo të laringut.
BANANIA
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemorragjisë cerebrale, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë, duhet të mendoni gjithmonë për frytin tropikal të bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se banania është një frutë shumë e pasur me kalium, dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të hemorragjisë cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frutë e tillë ka 396 miligramë ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite. “Dy deri tre banane në ditë janë optimale”, thotë Biofisikanti David Young. Nëpërmjet kësaj frute ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.
KURON:
1-Ulin tensionin e lartë
2-Janë kundër diarresë
3-Ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale
4-Banania mbron stomakun
Si përgatitet çaji:
Zakonisht për kurimin e sëmundjeve të ndryshme nuk përdoren gjethet e frutës së bananes apo të pemës, por vetë tuli. Kështu këshillohet që të grihen në një enë 5 banane dhe të përzihen me mjaltë. Konsumimi i kësaj lloj përzierjeje bën të mundur rregullimin e stomakut dhe largon helmet nga trupi i njeriut. Një kurë tjetër është edhe përzierja e 4-5 bananeve me qumësht ose me kos, përdorimi i së cilës ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale dhe ul tensionin e lartë.
Mjekimet me fruta
Janë mënyra shumë të efektshme të përdorimit sistematik dhe për një kohë relativisht të gjatë të frutave për përforcimin e shëndetit dhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme.
Mjekimet me fruta (frutoterapitë) janë mjaft të njohura nga populli ynë dhe përdoren gjerësisht në praktikë. Mjekimet me fruta bëhen duke konsumuar çdo ditë nga gjysmë deri 2-3 kg fruta dhe duke vazhduar këtë për 10-20 e më shumë ditë. Gjatë zhvillimit të kurës, pastrohet organizmi nga helmet dhe kripërat e panevojshme që grumbullohen nëpër kyçe dhe që shkaktojnë dhimbje. Ulet sasia e dhjamit, i cili e rëndon trupin. Në kohën e frutoterapisë ushqimi tjetër duhet të jetë i lehtë, i çliruar nga mishrat, dhjamërat dhe brumërat, i mjaftueshëm në sasi duke parapëlqyer sallatat dhe supat me barishte të pasura në vitamina dhe kripëra minerale. Praktika tregon se kurat me fruta janë shumë të dobishme edhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme. Të efektshme janë rezultatet e kurimit me arra, me lajthi ose me bajame për përforcimin e organizmit të dobësuar dhe për rivendosjen e shëndetit me gështenjë, me ftonj, me thana ose me vadhëza kundër diarresë (jashtëqitjes) e dizenterisë; me rrush, me limon ose me dredhëza kundër reumatizmit dhe artritit me hurma, me manaferra, me mandarina e me vishnja kundër anemisë. Me kumbullat gjatore, me lajthi e me vaj kundër sëmundjeve të mëlçisë; me mollë kundër sëmundjeve të zemrës; me portokall e qershi kundër sëmundjeve të veshkave.
Kataplazmat
Ndryshe quhen edhe llapa. Kanë përdorim të jashtëm dhe përfaqësojnë masën e njomë të bimës të shtypur në formë brumi. Kjo masë vihet midis dy bezeve të pastra pastaj vendoset mbi vendin e sëmurë ose mbi plagë. Pjesët bimore që përdoren për kataplazmë më parë duhet të pastrohen mirë.
Banjat
Janë lëngje në të cilat futet i gjithë trupi ose vetëm pjesë të tij (këmbët, duart, koka) për qëllime mjekimi. Banjat janë aromatike, zbutëse, nxitëse etj. Gjatë banjës lëndët aktive veprojnë në lëkurë në sistemin e frymëmarrjes ose nëpërmjet tyre veprojnë edhe në brendësi të trupit.
Lëngu që përdoret për banja përgatitet duke zier në ujë gjethe, rrënjë ose pjesë të tjera të bimës për 15-30 minuta. Raportet bimë-ujë që përdoren gjatë banjës janë të përafërta me ato që rekomandohen për pirje, por pa shtuar sheqer.
Infuzet
Përgatiten duke vluar më parë vetëm sasinë e duhur të ujit dhe pastaj duke e hedhur atë mbi masën e njomë ose të thatë të bimës që është vendosur në një enë tjetër. Ena mbulohet me kapak që të mos largohen lëndët që avullojnë lehtë. Infuzi pihet pas 10-15 minutash, në një temperaturë të pranueshme nga trupi, me ose pa sheqer.
Ekstraktet
Fitohen duke shtrydhur masën e njomë, e cila pastaj kullohet që të veçohet nga brumi i mbetur. Përdorimi i këtij ekstrakti mund të jetë i jashtëm ose i brendshëm. Në rastet e tjera ekstraktet fitohen me mënyrën e distilimit ose duke i vendosur frutat në tretës organikë, si alkool, verë, vaj ulliri etj. Shumë të përdorshme në mjekësinë popullore janë vajrat që ekstraktohen nga arra, bajamet, lajthitë , ulliri etj. Përdorime kanë gjetur vera, rakia e uthulla që përgatiten nga mjaft fruta, kryesisht nga rrushi, por edhe nga fruta me përqindje të lartë sheqeri, siç janë, mareja, mani, kumbulla, fiku, manaferra, portokalli, etj.
Ilaçet Popullore kundër anemisë
Të sëmurët anemikë duhet të konsumojnë ushqime të pasura me hekur, si: mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Këtyre të sëmurëve u këshillohet përdorimi i frutave të freskëta, që përmbajnë vitamine C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Nëse pinë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrin dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit. Në numrin e këtij suplementi, janë përzgjedhur disa nga ushqimet bazë të cilat luftojnë sëmundjen e anemisë dhe ndihmojnë të gjithë pacientët kronikë të kësaj sëmundje ta ndjejnë sa më pak atë. Gjithçka përgatitet dhe konsumohet në kushtet e shtëpisë, pa shpenzime të mëdha financiare.
HURMA
Hurma duket të jetë edhe një nga frutat bazë, që ndihmon në eliminimin e sëmundjes. Për kurimin e anemisë në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Në vendet arabe është ushqim kryesor, i cili shuan urinë për shkak të përbërjes së celulozës. Hurmat kanë gjetur përdorim të mirë kundër anemisë. Edhe në vendin tonë, mjekët popullorë i kanë kthyer të gjitha kërkimet për sëmundjen e anemisë tek hurmat. Tezë kjo e cila hedh poshtë faktin e hurmat bëjnë mirë vetëm për gjëndrat tiroide. Pasi ato janë shumë të domosdoshme të konsumohen nga të gjithë ata që kanë probleme me gjakun e tyre, kryesisht mangësira si në rastin e anemikëve.
KAROTA
Karota është e pazëvendësueshme për shëndetin e njeriut. Lëngu ditor i karotës në sasi prej 50-150 gram është ilaç efikas te të sëmurët, që vuajnë nga anemia. Karota në periudhë rekord e rregullon pastrimin e gjakut. Këshillohet që të gjithë ata persona që vuajnë nga anemia, të konsumojnë minimalisht 2 karota që qëruara çdo ditë, ndërkohë që në ushqimet e tyre nuk duhet të mungojë asnjëherë karotat. Vetëm përdorimi i përditshëm i karotave sjell eliminimin e problemeve me gjakun dhe ul riskun për sëmundje të tjera.
RREPA E KUQE
Nisur edhe nga vetë ngjyra kuptohet që rrepa e kuqe është ushqimi bazë për anemikët. Këtyre të sëmurëve u këshillohet pirja çdo ditë e 150 ml lëng të rrepës së kuqe, para buke, apo të konsumohet sa më shpesh domatja. Nga ana tjetër këta pacientë kronikë, të çfarëdo grupmoshe që të jenë, duhet të marrin çdo ditë 10 – 15 fruta të mandarinës për një kohë prej 20 – 25 ditë. Injektimi i vitaminave, lëngjeve dhe sasive të gjakut nëpërmjet frutave dhe perimeve, sipas Mjekësisë Popullore duket të jetë edhe rroga më e mirë për rritjen e nivelit të gjakut në organizëm dhe mbi të gjitha normalizimin e sistemit organik.
GJETHE HITHRE
Një kurë e efektshme për të sëmundjen e gjakut është edhe ajo e përgatitur nga 250 gramë gjethe hithre, 10 gramë uthull dhe 10 gramë gjethe delli. Të gjitha këto vendosen në 1 litër ujë të ftohtë, ku qëndrojnë 12 orë. Pastaj zihen për 10 minuta, ëmbëlsohen sipas dëshirës me mjaltë dhe pastaj sërish mbyllen dhe qëndrojnë të mbyllura për 20 minuta. Kullohen dhe pihen gjatë tërë ë ditës me lugën e kafesë. Kjo duhet të përsëritet disa herë në muaj dhe ndihmon në qarkullimin normal të gjakut si dhe rritjen e sasisë së tij në organizëm. Është një nga bazat kryesorë të Mjekisë Popullore.
LULESHTRYDHJA
Është bimë shumëvjeçare me shije të hidhur në të ëmbël. Në fitoterapi përdoren gjethet, rrënja dhe lulet. Gjethet e reja të kësaj bime janë mjaft të pasura me vitaminë C, me kripën natyrore, e cila bën pastrimin e gjakut. Në shumë vende përdoret si sallatë, sidomos për ata që vuajnë nga anemia. Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, holinën etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave që me luleshtrydhe por që nuk përmbajnë gaz.
FIKU
Është një frut, që përmban shumë karbohidrate, albuminë, yndyrë. Përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme. Rekomandohet të përdoret nga personat e dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që ndiejnë shumë të ftohtë, pasi i japin organizmit forcë dhe nxehtësi. Një tjetër mënyrë për kurimin e të sëmurëve me anemi është edhe pirja e tri lugëve kafeje në ditë nga masa e përftuar nga shalqiri, karafili, mastiku dhe sheqeri. Tre kokrra shalqiri mbushen me 50 gram karafil dhe 100 gram mastikë. Pasi piqen u hidhet sheqer. E gjithë masa e krijuar zihet derisa të mpikset mirë dhe pihet çdo ditë.
FARAT E ZEZA
Fara e Zezë përmban vaj acidik të pangopur, vaj me eter, vitamina dhe një sërë substancash të tjera të domosdoshme për organizmin. Tashmë është vërtetuar se vaji acidik i pangopur që përmban fara e zezë ndikon pozitivisht mbi metabolizmin e trupit, rrit imunitetin dhe ndalon alergjinë. Por farat e zeza u bëjnë mirë edhe anemike. Kjo pasi fara përmban përafërsisht 38 për qind karbohidrate, 35 për qind vajra të ndryshëm, 21 për qind albumin dhe pjesa tjetër përbëhet prej më shumë se njëqind substanca të ndryshme. Për t’u përmendur janë: vajrat acidike të pangopura, acidi Linolein, acidi alfa-Linolein, vajrat me eter (nigellon, alfa-pinen etj.)
Bimët mjekësore që përdoren për mjekim
Aloa Vera
Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është bimë shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.
Kopra
Foshnjave të posalindura iu jepet në formë çaji, për pengimin e dhembjeve dhe shtangimeve të cilat e përcjellin foshnjën në muajt e parë të lindjes. Me sukses përdoret edhe kundër kollit.
Trumëza
Është ekaspektorans i mirë dhe spazmolitik i lehtë. Ka edhe veprim bakteriologjik. Përdoret si bar për shërimin e organeve të tretjes, si edhe ndodhet si përbërës i shumë çajrave tjera.
Kamomili
Përdoret kundër dhembjeve dhe shtrëngimeve, inflamacioneve të lëkurës dhe mukozës së gojës, fytit, hundës, syve, po ashtu për rregullimin e tretjes së ushqimit, pastrimin e rrugëve urinare nga jashtë dhe brenda, kundër hemorroideve.
Mendra
Përdoret si spazmolitik (kundër ngërçeve dhe shtangimeve në lukth e organe tjera), pastaj për qetësimin e shtangieve të muskujve sidomos në organet e tretjes etj.
Lëngu i Kulfimës
Bima e kufilmës ose lulevathit është një prej bimëve më të njohura, që ndihmojnë në qarkullimin sa më të mirë të gjakut, dhe ndihmon në funksionimin e mirë të zemrës. Në rrahjet e shpejta të saj çaji ka dhënë rezultate shumë të mira. Mjekët këshillojnë pirjen e dy gotave çaji në ditë.
Fiku
Të gjithë të dhënat e mjekësisë popullore arrijnë në të njëjtin përfundim. Fiku është i domosdoshëm për të vënë në punë aparatin tretës dhe i jep nxehtësi trupit. Për këtë arsye rekomandohet përdorimi i këtij fruti përgjatë gjithë kohën e sezonit të tij. Kryesisht tek personat që kanë probleme me gjakun, tek fëmijët, si dhe tek problematikët e stomakut.
Ananasi
Ananasi është fruti që ndihmon në forcimin e kockave, në përmirësimin e gjendjes shëndetësore gjatë gripit, si dhe ndihmon në parandalimin e problemeve dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Edhe pse është pak e vështirë ta ndash frutin nga lëkura, rëndësia qëndron të përbërësit që ky frut përmban. Ananasi ka vlera të shumta për shëndetin e njeriut, sidomos për forcimin e kockave, pasi është një frut shumë i pasur me vitaminë C. Sidomos një ndikim të dobishëm, ky frut ka për të gjithë ata njerëz që kanë probleme me jashtëqitjen. Është e këshillueshme që fruti të jetë i freskët dhe kjo gjë dallohet tek gjethet e tij. Ato nuk duhet të jenë aspak të zverdhura, por në një jeshile sa më të errët. Më të mirët janë ananaset e kultivuar në Costa Rica, sepse përmbajnë më shumë vitamina, në krahasim me të vendeve te tjera.
Dardha
Dardhat njihen për efektet e tyre pozitive në forcimin e kockave. Ato ulin sasinë e yndyrnave në gjak,ndihmojnë në tretjen e ushqimit, si dhe luftojnë infeksionet e ndryshme. Në çështjen e shëndetit edhe dardha do të vendosej krahas mollës dhe portokallit. Por fruti jeshil, ka dhe diçka të përbashkët me fasulen, pasi ka një përmbajtje shumë të dobishme për uljen e kolosterolit në gjak. Dhe siç e shpjegon dhe Dr.Mary Ellen Camire, kjo është diçka e rrallë te frutat. Gjithashtu, dardhat përmbajnë një mineral shumë të domosdoshëm për forcimin e kockave, duke ndihmuar kështu, kundër osteoporozës, që shkaktohet si rrjedhim i mungesës së këtij minerali, të gjendur te dardha. Ky frut është i dobishëm dhe për trurin. Dardha para ngrënies ashtu si molla nuk duhet qëruar, pasi shumë vitamina ndodhen në lëkurën e saj.
Peshku
Vlerat e peshkut janë të padiskutueshme. Ato ulin rrezikshmërinë e sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu, mjaft vlera ka për ata që pinë duhanin, pasi bën pastrimin e infeksioneve në laring. Një vlerë të madhe ka vaji i Peshkut, i cili është i pasur me omega 3, shumë i nevojshëm për organizmin. Eskimezet janë njerëzit që përdorin peshkun më shumë nga çdo popull në botë dhe sëmundjet e zemrës për ta janë pothuajse të panjohura. Sipas studiuesve Omega 3, që përmban peshku ka ndikimin më pozitiv në organizmin e njeriut. Përdorimi i shpeshtë i peshkut është shumë me vlera për njerëzit që kanë vështirësi frymëmarrjeje, për ata që vuajnë nga azma, ose për përdoruesit e rregullt të duhanit. Peshkun rekomandohet ta përdorim patjetër çdo javë, mbase dhe dy herë në javë.
Vaji i ullirit
Vaji i ullirit është shumë i dobishëm për zemrën dhe ndikon në mirëfunksionimin e saj. Ky vaj ndikon në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak, si dhe ul rrezikun e shfaqjes së kancerit te femrat. Të gjitha llojet e yndyrnave, si gjalpi,margarina dhe vajrat përmbajnë kalori të shumta, por që nga organizmi i njeriut perceptohen në mënyra të ndryshme. Greket e duan dhe janë përdoruesit e parë të vajit të ullirit dhe përdorin shumë pak gjalpin dhe margarinën. Vaji i ullirit është quajtur ndryshe nga mjekësia “Shoku më i mirë për gruan”, pasi luan një ndikim shumë pozitiv në mbrojtjen nga kanceri i gjirit. Përmbajtja kryesore në vajin e ullirit është Vitamina E, e cila ka vetinë e rigjenerimit. Në përgjithësi vaji i ullirit, rron gjatë, si dhe duhet të mbahet në ambiente të freskëta dhe të thata, të mbrojtura nga drita.
Qumështi
Qumështi është një ndër komponentët më të rëndësishme në një dietë të shëndetshme. Në të gjenden përbërës të Çilët luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e kockave, ulin tensionin e gjakut, si dhe nivelin e lartë të kolesterolit në gjak. Qumështi ndihmon edhe në uljen e rrezikut të prekjes nga paraliza të ndryshme. Me gjithë vlerat e mëdha që ka qumështi, përsëri i rekomandueshëm është përdorimi i qumështit me yndyrë të reduktuar. Një gotë qumësht përmban 10 për qind yndyrë. Në kohët e sotme ekziston mundësia e një qumështi me yndyrë të reduktuar. Qumështi është i dobishëm edhe për trurin. Në një studim të bërë u zbulua se personat që pinin një gjysmë litri qumësht në ditë kishin 50 për qind rezistencë më të fortë kundrejt trombozës. Në uljen e tensionit dhe kolosterolit ndikon përmbajtja e kalciumit të gjendur te qumështi. Këshillohet të paktën një gotë qumësht në ditë.
Kosi
Nëse dikush do t´iu ofronte një luge me mikroorganizma të gjallë për të ngrënë, natyrisht që gjithkush s´do të pranonte. Por çfarë do të bënit nëse kjo gjë do të sillte të mira në shëndetin tuaj? Miliona njerëz e bëjnë këtë gjë duke ngrënë, organizma të vegjël të gjallë nëpërmjet kosit. Sipas studiuesve janë pikërisht këta mikroorganizma që forcojnë imunitetin e njeriut. Ata mbrojnë nga infeksionet. Kosi është një burim ideal i kalciumit. Një e mirë e madhe e kosit është efekti kundër mykut në trupin e njeriut. Kjo gjë ndodh kryesisht tek femrat. Po ashtu kosi ka efekte kuruese edhe për ulçerën e stomakut dhe këto efekte i kryen njësoj si antibiotikët. Kosi duhet të përdoret i ftohtë. Kosi i freskët përmban 100 milionë baktere për gram, ndaj rekomandohet përdorimi sa më i freskët i tij.
Misri
Misri vazhdon të jetë numri një për të mbajtur konstante nivelin e kolosterolit në gjak, pasi ul ndjeshëm grafikun e yndyrës në gjak. Ai luan rol në prodhimin e energjisë trupore te njeriu. Në jug të Dakotës në ShBA, popullsia që prej vitit 1892 feston një festë me emrin “Festa e Misrit” ku njerëzit dekorojnë gjithçka me misër. Misri është një burim i vërtetë proteinash dhe vitaminash. Në një studim të bërë me meshkuj të cilët kishin kolosterol të lartë, pas një trajtimi me produkte misri, si dhe me ushqime të varfra në yndyre, u arrit në rezultate mjaft të kënaqshme. Misri gjithashtu është burim energjie. Ai përmban një lloj vitamine B (Thiaminë) që është e domosdoshme për njeriun.Në vendin tonë një përdorim të veçantë ka zënë “Buka e misrit” dhe gjithmonë është rekomanduar për njerëzit që vuajnë nga hipertensioni.
Birra
“Paradoksi francez” apo më mirë efektet pozitive të alkoolit të marrë në doza të vogla, që do të ishin shkatërruese në doza të mëdha, është mbështetur së fundmi edhe nga mjekësia, jo vetëm për verën por edhe për pijet e tjera alkoolike si birra. Përveç kësaj, sinteza e studimeve dhjetëvjeçare ka treguar se e pirë në mënyrë të rregullt e të moderuar, birra ndihmon në parandalimin e një sërë sëmundjesh koronare apo kardiovaskulare, në sajë të vitaminave të grupit B, B6, B12; në uljen e nivelit të kolesterolit, në sajë të fibrave të mureve të qelizave të elbit, etj. Një tjetër efekt pozitiv i birrës është pikërisht veprimi antioksidant i maltos dhe ai parandalues i osteoporozës. Pra, mbron më mirë se aspirina. Nëse e pirë në mënyrë të moderuar nënkupton deri në 2 gota në ditë nga 20Çl secila, në mënyrë të rregullt nënkupton pirjen e birrës gjatë vakteve dhe aplikimin e kësaj doze çdo ditë.
Mjalti
Mjalti ka aftësi kuruese për vetë vitaminën B që përmban. Mjalti përmban veti dezinfektuese për plagë dhe gërvishtje të lëkurës. Sipas studimit të Dr.Molan mjalti triumfon mbi 7 lloje të ndryshme bakteresh. Përveç shërimit të jashtëm mjalti ka dhe veti kuruese të brendshme, si në qetësimin e stomakut. Kështu për këta paciente do ishte e rekomandueshme 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Një rol të rëndësishëm mjalti luan kundër diarresë, sidomos për fëmijët e vegjël, pasi është një metode, mjaft e mirë kuruese brenda një ushqimi. Mjalti në këtë rast, lufton bakteret dyfish më shpejt, se sa një tretje sheqeri. Gjithashtu, mjalti ndihmon edhe në rastin e problemeve me jashtëqitjen. Kujdes duhet treguar në përdorimin e mjaltit nga foshnjat. Në ndryshim nga fëmijët e vegjël dhe të rriturit, foshnjat nuk mund të përballojnë tretjen në mënyrë optimale të tij. Mjalti ka përmbajtje shumë të lartë sheqeri, 300 gram sheqer mund të krahasohen me 250 gram mjaltë.
Farat e frutave
Farat e disa frutave në mjaft raste janë jo vetëm ngacmuese, por edhe të kujtojnë shijen e frutit nga janë marrë. Edhe pse frutat nuk mund t’i mbijetojnë kohës, me farat e tyre nuk ndodh e njëjta gjë e tillë, sidomos kur ato përpunohen dhe konservohen. Të tilla janë farat e kajsisë, bajamet, frutat e ndryshme të thata, etj. Këto fara dhe fruta të thata përmbajnë antioksidantë të cilat reduktojnë nivelin e insulinës rezistente në gjak e cila mund të jetë faktor rreziku për shfaqjen e diabetit.
1-Farat i mbijetojnë kohës
2-Ato mund të përpunohen dhe konservohen
3-Përmbajnë antioksidantë
4-Reduktojnë nivelin e insulinës rezistente
5-Parandalojnë shfaqjen e diabetit
Kumbulla e thatë
Pse janë të shëndetshme? Kumbullat e thara përmbajnë sasi të larta acidi neoklorogjenik dhe klorogjenik, antioksidantë që janë veçanërisht efektivë në luftën kundër “radikalit superoksid anion”. Ky radikal i keq shkakton dëmtime strukturale për qelizat dhe dëmtim i tillë mendohet të jetë shkaktari kryesor i kancerit. Si t’i hani? Si një meze. Mbështillni një copë të hollë proshute rreth kumbullës së tharë dhe ngulni një kunj dhëmbësh. Piqeni për disa minuta në furrë derisa kumbulla të jetë e butë dhe proshuta e tharë.
1-Përmbajnë sasi të larta acidi neoklorogjenik dhe klorogjenik
2-Janë efektivë kundër “radikalit superoksid anion”
3-Luftojnë kancerin
4-Rigjeneron qelizat e dëmtuara
5-I reziston kohës
Fara kungulli
Këto produkte që hidhen poshtë nga kungulli janë pjesa më e ushqyeshme e tij. Pse janë të shëndetshme? Kapërdimi i farave të kungullit është mënyra më e thjeshtë për të konsumuar magnez. Shkencëtarët francezë kanë zbuluar se meshkujt me nivele të larta magneziumi në gjak janë 40 për qind më pak të rrezikuar nga vdekja e hershme se sa ata me nivele të ulëta. Mesatarisht, meshkujt konsumojnë 353 mg nga minerali në ditë, ndërsa sasia e rekomandueshme është 420 mg. Si t’i hani? Të plota, me gjithë lëvozhgë. Lëvorja ju siguron fibër.
1-Përmbajnë magnez
2-Shmangin vdekjen e hershme
3-Lëvorja e tyre ju siguron fibrën
4-Është mirë të hahen me gjithë lëvore
5-Janë të shëndetshme për zemrën