Rreth 300.000 punëtorë sezonalë vijnë kryesisht nga Europa Juglindore në Gjermani, për të ndihmuar në bujqësi e gastronomi. Edhe për ta vlen e drejta e pagës minimale, 9.19 Euro për orë pune. Por si është realiteti?
Nga Miodrag Soric, DW
Daniel Lykhvenko ndihet e mashtruar. Me javë të tëra studentja 19 vjeçare e juridikut nga Ukraina ka punuar në një fermë në Hanover. Ajo ka ndihmuar në vjeljen e luleshtrydheve. „Ndihem e mashtruar, sepse në kontratën e punës ishte përcaktuar që të punoja gjashtë orë në ditë me një pagë 9,19 për orë pune. Por në të vërtetë ne jemi paguar mbi bazën e arkave që vilnim. Për çdo kilogram pagesa ka qenë 60 Cent. Ne kemi punuar edhe në fundjavë ndonjëherë madje deri në 14 orë në ditë.”
Nëse vërtetë ka ndodhur kështu, kjo do të thotë që janë shkelur ligjet gjermane. Paga minimale për orë pune është aktualisht 9.19 Euro, e kjo vlen edhe për punëtorët sezonalë.
Në fermën bujqësore, për të cilën bëhet fjalë takojmë Peer Sander, i cili e drejton atë që prej 20 vjetësh: „Ne kemi punonjës polakë e rumunë me kontratë fikse pune, ata janë gjatë gjithë vitit tek ne”, thotë ai.
Këtyre u shtohen edhe 250 punonjës sezonalië nga Ukraina. Shumica janë studentë. Ata janë ndërmjetësuar të punojnë këtu përmes një agjencie në Kiev, që ndihmon edhe për nxjerrjen e lejes së punës. Me punëtorët sezonalë në Gjermani vendoset një kontratë pune. Peer Sander: “Ata paguhen në bazë të pagës minimale. Punët ndahen në punë me pagë studenti, që paguhet thjesht sipas pagës minimale dhe në punë me vlerësim rendimenti, që do të thotë se studentët kanë mundësi t’i përmirësojnë të ardhurat duke fituar më shumë se paga.”
Gjashtë Euro në ditë paguajnë ukrainasit si qira për vendstrehimin. Në të atyre u garantohet akses i lirë në internet si dhe mundësi për gatim e blerje. Kur i pyesim para kameras ata shprehen, se janë të kënaqur: „Po më pëlqen, është interesant.”
„Dikush vjen për herë të parë, të tjerë kanë qenë edhe më parë këtu. Edhe për mua është hera e dytë që vij këtu.”
Ata nuk ankohen pra, se nuk u është paguar paga minimale. Nga jashtë është e vështirë të verifikosh një gjë të tillë. Madje as sindikatat nuk e verifikojnë dot këtë. Jon Daniel Heinemann nga Sindikata e Industrisë për Ndërtimin, Bujqësinë dhe Mjedisin, thotë: „Për të gjithë ata, që vijnë për një kohë të shkurtër, një fazë tremujore apo 70 ditë, ne natyrisht duam që ata të trajtohen sipas normave ligjore dhe që të paktën t’u garantohet paga minimale.”
Punëdhënësi është i interesuar që ta shmangë konfliktin. Ai në periudhën e të vjelave dhe të korrave është i varur prej punonjësve sezonalë. Peer Sander: „Normalisht ne përpiqemi që këtyre punëtorëve t’u japim mundësi të shprehin ankesat e tyre tek drejtuesit e grupit. Nëse ka diçka që nuk shkon ne e sqarojmë në vend.”
Por me sa duket nuk ka ndodhur këshhtu në rastin e Daniel Lykhvenko. Tani ajo do që të angazhojë një avokat.