Ish-diplomati Blerim Reka e shikon me skepticizëm marrjen e një date për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Blerim Reka tha se Maqedonia e Veriut do t’i thotë lamtumirë datës për hapjen e negociatave në muajin tetor.
Sipas tij Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë dy kritere që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, zbardhja e rastit “Zhvatja” dhe aprovimi i ligjit për Prokurorinë Publike.
Blerim Reka: Çështja e anëtarësimit në BE është edhe teknik, kërkon standarde, kritere etj., të cilat dyshoj se Maqedonia i plotëson tani. Unë edhe në prill të këtij viti thoja që Maqedonia nuk do të marrë datë ne qershor dhe unë tani po e them sepse është shumë vështirë të marrë datë ne tetor. Pse? Janë 3 shtete anëtare Franca, Holanda dhe Gjermania, të cilat nuk janë të bindura se Maqedonia ka bërë përparim në reformimin e sundimit të ligjit. Rasti “Zhvatja” nuk ka qenë rast në prag të marrjes së datës në qershor, është paraqitur në 15 korrik. Kjo do të thotë se ne tani kemi dy limite kufizuese për marrjen e datës. Është zbardhja e rastit “Zhvatja” përkatësisht demonstrimi se ka kapacitet menaxhues ky shtet që ta zbatojë sundimin e ligjit. E dyta, në 15 shtator përfundon mandati i Prokurorisë Speciale. Negociatat janë në vijim mes qeverisë dhe opozitës maqedonase për ligjin e ri të Prokurorisë, në të cilën do të inkorporojë Prokuroria Speciale. Ky është një kusht i pa thënë shprehimisht nga Brukseli, por në 16 tetor në tavolinë nëse deri më 15 shtator nuk aprovohet ligji për Prokurorinë Publike, ne mund ti themi lumturië datës për në tetor. Me fjalë të tjera jam skeptik se në tetor Maqedonia do të marrë datë për negociatat nëse nuk i plotëson këto dy kushte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.