Politikanët dhe partitë politike duhet të përmbahen nga ndërmarrja e rolit të gjykatësit dhe të prokurorit, si dhe të propaganduesit apo të shkruarësve të lajmeve të rreme në të gjithë këtë proces, deklaroi sot deputeti i BDI-së Artan Grubi dhe kryetar i Komisionit kuvendor për çështje evropiane, pas votimit të vendimit që Propozim-ligji për Prokurorinë Publike të miratohet me procedurë të shkurtuar, transmeton Koha.mk
Rasti “Zhvatja” dhe përfshirja e shumë elementeve shoqërore, siç theksoi, e imponojnë nevojën për veting të të gjithë politikanëve, gjykatësve dhe të prokurorëve pa kurrfarë përjashtimi.
Deputeti i Besës, Fadil Zendeli, ndërkaq, deklaroi se ata nuk do ta mbështesin Propozim-ligjin për PP-në nëse në të nuk ka garanci se do të vazhdojnë të procedohen të gjitha lëndët të cilat kanë qenë obligim i PSP-së.
“Nëse nuk kemi kurrfarë garanci në Propozim-ligjin, nuk do ta mbështesim. Do të thotë, si Lëvizje Besa dhe unë vet si deputet kërkoj në debat dhe nl debatin e amendamenteve të kemi garanci të plotë se të gjitha lëndët të cilat kanë filluar dhe të cilat kanë qenë në procedurë apo materiale të cilat janë shfrytëzuar nga ana e PSP-së, do të vazhdojnë të përpunohen edhe nga ana e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion” deklaroi Zendeli. (koha.mk)