Nga Harry J. Kazianis
“Fox News”
Konflikti më vdekjeprurës në historinë njerëzore, nisi saktësisht 80 vjet më parë. Më 1 Shtator 1939, Gjermania naziste pushtoi Poloninë. Britania dhe Franca, i dolën në mbrojtje, dhe kësisoj papritmas kishte filluar Lufta e Dytë Botërore. Vlerësimet e vdekjeve në civilë dhe ushtarakë në atë luftë, shkojnë deri në 85 milionë.
Ndërkohë, a mund të ketë sot një Luftë të Tretë Botërore? Ndërsa ka pasur shumë luftëra që pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, fuqitë kryesore nuk kanë zhvilluar kurrë ndonjë luftë gjithëpërfshirëse kundër njëra-tjetrës. Udhëheqësit e dinë shumë mire, se nëse do t’i drejtohen përdorimit të armëve bërthamore, numri i jashtëzakonshëm i të vdekurve do të linte në hije kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore.
Por askush nuk mund ta parashikojë dot të ardhmen, apo të thotë me siguri se Lufta e Tretë Botërore, është diçka e pamundur. Luftërat dhe krizat rajonale, kanë potencialin të përshkallëzohen në veprime dhe reagime të paparashikuara, që mund t’i nxjerrin ngjarjet jashtë kontrollit.
Sot ekzistojnë një numër vatrash të nxehta globale. Kina duket e vendosur në përpjekjen e saj për të dominuar Azinë, dhe krijuar sferën e saj të ndikimit, ndërsa i ka nënshtruar qytetarët e saj ndaj një sundimi tiranik, diçka që e shohim në përpjekjet e Pekinit për të shtypur demonstruesit në Hong Kong, të cilët kërkojnë më shumë liri.
Presidenti rus Vladimir Putin, ka shprehur shpesh publikisht keqardhjen e tij të madhe për shembjen e Bashkimit Sovjetik. Ai e ka rindërtuar ushtrinë ruse, ndërsa ka nisur dhe ndaluar konfliktet tashmë të “ngrira” në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji – të gjitha ish-republika të Bashkimit Sovjetik.
Me trupat e NATO-s dhe ato ruse, që mbikëqyrin me kujdes çdo ditë hapësirat ajrore dhe detare të njëra-tjetrës, dhe me të dyja palët që kanë gjasa të jenë armatosur me raketa të rrezikshme, që dikur ishin të ndaluara nga disa tractate që sot kanë skaduar, ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në rast se gjërat dalin jashtë kontrollit.
Sigurisht, nuk mund të harrojmë as Korenë e Veriut. Presidenti Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë zhvilluar 3 takime historike mes tyre. Por Pheniani nuk ka hequr dorë nga programet e tij të armëve dhe raketave bërthamore. Madje tani i është rikthyer testimeve të raketave me rreze të shkurtër.
Kim ka kërcënuar se deri në fund të këtij viti, do të përqafojë një “qasje të re”, gjë që mund të nënkuptojë rikthimin tek armët bërthamore apo testimin e raketave balistike ndërkontinentale, duke krijuar kësisoj terrenin për një periudhë të re tensionesh në Gadishullin Korean.
Fatkeqësisht, mundësia e një konflikti të armatosur që mund të përfshijë edhe SHBA-në, nuk është zhdukur. Në fakt, në vitet në vazhdim, unë them se ekzistojnë 3 zona specifike interesante që duhen vëzhguar me kujdes, në mënyrë që të garantohet mos-nisja e një Lufte të Tretë Botërore.
Asnjë traktat apo organ ndërkombëtar, nuk po mbikëqyr sjelljen e kombeve në internet. Kështu hapësira në rrjet, është bërë si një qytet kufitar i Perëndimit të Egër të shekullit XXI, pa rregulla për mbajtjen e armëve. Hakerat janë shumë aktivë në vjedhjen e të dhënave të shërbimeve inteligjente, pronësisë intelektuale dhe teknologjinë ushtarake.
Kjo mund të përshkallëzohet në sulme që mund të sabotojnë rrjetin energjitik të një kombi, duke e zhytur atë në errësirë për javë ose muaj me radhë, apo veprime të tjera që do të shkaktonin dëme katastrofike. Ne s’duhet të shpërfillim asnjëherë mundësinë, që një vend diktatorial apo një grupim terrorist të shkojë aq larg, sa të përdorë aksidentalisht një armë kibernetike që të çojë në vdekjen e civilëve të pafajshëm, apo që t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë globale.
Së dyti, një luftë tregtare e SHBA-Kinë, ka gjasa të përshkallëzohet:Imagjinoni për një moment nëse dy ekonomitë më të mëdha të botës – me një vlerë të përbashkët prej 32 trilionë dollarësh – të fillojnë të luftojnë kundër njëra-tjetrës. Mendoni se është e pamundur?
Historia na tregon që kjo është plotësisht e mundur, dhe shkëndija mund të jetë pikërisht lufta e sotme tregtare. Kina e ka deklaruar tashmë se zhvillimi ekonomik është ”interesi i saj kryesor”. Por nëse lufta tregtare SHBA-Kinë, përshkallëzohet deri në pikën që udhëheqësit kinezë të besojnë se vendi ndodhet pranë një recesioni, atëherë Pekini mund të rrezikojë shfaqjen e forcës ushtarake, nëse kjo është vërtet e nevojshme.
Në këtë rast, Kina mund të ndërmarrë një veprim agresiv në Detin e Kinës së Jugut, të synojë të rivërë nën kontroll ishullin e Tajvanit, apo të ndërmarrë një sulm mbi satelitët kryesorë komercialë në orbitën e Tokës, që janë jetikë për ekonominë dhe ushtrinë amerikane.
Një kundërpërgjigje amerikane, mund të shkaktojë nisjen e nje lufte në Azi, çka do të shkakonte një krizë globale me përmasa epike.
Së treti, një krizë në gadishullin Korean. Kim Jong Un, mund të vendosë të shkelë premtimin
e tij ndaj presidentit Trump, dhe të testojë armën e fundit – një raketë balistike ndërkontinentale, tërësisht e aftë që të godasë SHBA-në. Presidenti Trump mund të urdhëronte në këto kushte nisjen e një sulmi, për t’i dhënë njëherë e mirë fund programeve të shkatërrimit në masë të liderit komunist.
Nëse SHBA dhe Koreja e Veriut, do të zhyten në një konflikt bërthamor, mund të vdesin miliona njerëz. Ndërkohë, konflikte të tjera rajonale në të gjithë botën, mund të përshkallëzohen dhe dalin jashtë kontrollit. Dhe kjo sepse paqja globale është një “mall” delikat.
Një veprim i gabuar, mund të shkaktojë një reagim zinxhir, që në skenarin më të keq mund të kulmojë me sulmet zinxhir me bomba bërthamore. Pak njerëz nga ata që përjetuan tmerret e luftës, e cila nisi saktësisht 80 vjet më parë, janë ende gjallë. Pjesa tjetër prej nesh ka prindër, gjyshër ose stërgjyshër, që jetuan apo vdiqën në ato kohë të tmerrshme.
Përvjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore, duhet të na kujtojë sakrificat dhe heroizmin e Gjeneratës më Madhështore. Dhe duhet të shërbejë si një kujtesë për udhëheqësit e të gjitha kombeve, se bota mbetet ende sot një vend tepër i rrezikshëm, ku edhe një shkëndijë e vetme, mund të shndërrohet në çast në një zjarr vdekjeprurës
Le të shpresojmë dhe të lutemi që Lufta e Tretë Botërore, të mbetet vetëm një makth, që nuk do të bëhet kurrë realitet, dhe që brezat e ardhshëm të mos jenë të detyruar të përkujtojnë përvjetorin e fillimit të një konflikti të tillë./ Përshtatur nga CNA.al