Gazeta serbe, Kurir, ishte ndër të parat që i dha ngjyrim largimit të John Bolton nga posti i Këshilltarit për Sigurinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Largohet kundërshtari i pavarësisë së Kosovës,” shkruan gazeta në ballinë.
Largimi i Bolton ishte përfolur prej kohësh, por u bë i ditur të martën nga presidenti Donald Trump. Duket se mes tyre kanë ekzistuar tensione të forta, që reflektohen edhe tek mënyra se si e interpretojnë largimin.
“Nuk isha dakord fuqishëm me shumë prej rekomandimeve të tij,” thotë Trump. A përfshihet këtu edhe çështja e Kosovës? Nuk mund të thuhet me saktësi, por fakt është se Bolton ishte investuar fuqishëm për ndarjen e Kosovës. Madje ai pati një telefonatë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Kosovës, të cilën kryeministri shqiptar e shiti publikisht si mbështetje politike.
Historia e tezës për ndarjen e Kosovës, e mbështetur nga Bolton, duket e errët.
Para disa muajsh, gazetarja austriake Adelheid Woelfl shkruante se “kryestrategu i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Corey Lewandowski, është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandowski-t në Uashington është regjistruar firma Twin Rocks Global, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, që ka synuar ndarjen dhe me këtë rast shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës”.
“Ideja me sa duket ka lindur gjatë një takimi të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Vuçiçit në tetor të vitit 2016. Por projekti është ndjekur prej kohësh nga pala serbe. Bëhet fjalë për bashkimin e zonave me shumicë serbe ne veri të Kosovës me Serbinë, për të legjitimuar një pjesë të idesë së vjetër të Serbisë së Madhe,” theksonte ajo.
Largimi i Bolton vjen pasi Bashkimi Europian u investua fuqishëm kundër idesë për ndarjen e Kosovës, duke mbajtur edhe një samit për këtë çështje. Gjermania u printe këtyre përpjekjeve për të ndalur tezën e rrezikshme, që do kishte efekt domino në rajon.
Para disa kohësh, tre deputetët e tre krahëve më të rëndësishëm politikë në Gjermani, Peter Beyer, Josip Juratovic dhe Manuel Sarrazin publikuan një letër në gazetën e njohur konservatore, Frankfurter Allgemeiner.
“Një këmbim territoresh etnik do të ishte një lojë me rrezik të lartë, që do krijonte shumë probleme të reja dhe do të rrezikonte paqen në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Përsëri, shumë njerëz mund të bëhen viktima të politikës nacionaliste. Edhe këshilltari amerikan i sigurisë, John Bolton, i cili e ka bërë idenë të shijshme për presidentin e tij dhe e ka promovuar masivisht, tani duhet të zhgënjehet,” shkruanin ata.
Bolton nuk do jetë më në detyrë, edhe pse ishte parashikuar që të vizitonte Kosovën dhe Serbinë. Kjo nuk do të thotë se amerikanët e kanë hequr vëmendjen nga rajoni. Sekretari i Shtetit ka caktuar një të dërguar të posaçëm për rajonin. Ai është Matthew Palmer, që duket se objektiv kryesor do ketë uljen në tryezë të Serbisë dhe Kosovës me perspektivën e arritjes së një marrëveshje. A nënkupton kjo shkëmbim territoresh? Kjo ide ka ardhur duke u dobësuar me kalimin e kohës edhe në qarqet e Uashingtonit, por letrat do hapen pas zgjedhjeve në Kosovë.
‘Skifteri’
Bolton është një personazh që ngjall kuriozitet kudo. Ish-ambasadori amerikan në OKB njihet me nofkën ‘Skifteri’. Gazetari Graeme Wood i revistës ‘The Atlantic’, ka publikuar një portret për të.
“Bolton është figura më e rëndësishme në sigurinë kombëtare amerikane edhe për shkak se pozicioni i tij nuk kërkon konfirmim nga Senati, ai nuk i përgjigjet askujt përveç presidentit Trump. Ai është i vetmi që e di si punon Shtëpia e Bardhë, pasi ka shërbyer në çdo administratë republikane që prej vitit 1981,” shkruan ai.
“Unë jam pro-amerikan. E vetmja shpresë për lirinë e njerëzimit në histori janë Shtetet e Bashkuara. Çdo mëngjes zgjohem duke thënë: Çfarë interesash të SHBA duhet të avancojmë sot?” shprehet Bolton.
Dhe kandidati që e mishëronte më mirë këtë pragmatizëm pro-amerikan ishte Donald Trump.
Kur një person nga ekipi i presidentit rus, Vladimir Putin i tha: Më pëlqeve pasi je diplomat pragmatist, ai u përgjigj: Kjo është gjëja më e mirë që më kanë thënë prej kohësh.
Fillimisht Trump e refuzoi kandidaturën e tij, pasi besojeni ose jo, nuk i pëlqenin mustaqet. “Është shumë i zgjuar dhe i aftë. Mund të ishte ngritur më shpejt nëse do kishte qenë më pak k…”, thotë një njohës i mirë i tij.
“Bolton është sovranist. Ai mendon se SHBA nuk duhet të kufizohet nga organizatat ndërkombëtare. Pas Luftës së Ftohtë, SHBA e kufizoi veten nga disa organizata multilaterale, të drejtuara kryesisht nga europianët, që kufizojnë veprimet e SHBA, njësoj siç mund të lidhesh Guliverin”, thotë John Yoo.
Shkarkimi i befasishëm
Presidenti Donald Trump njoftoi në rrjetet sociale se ka shkarkuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Zoti Trump e bëri njoftimin në Twitter, duke shkruar se “e informova John Boltonin mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë”. Pavarësisht se nuk jep detaje, Presidenti Trump shkruan se kishte kundështime të forta ndaj sugjerimeve të Keshilltarit te tij. Për këtë arsye tha ai:
“I kërkova John-it dorëheqjen, e cila m’u dorëzua sot në mëngjes”, tha Presidenti Trump.
Ai shtoi se do ta emërojë Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare javën e ardhshme.
Vetëm pas minuta më pas, zoti Bolton reagoi po në Twitter, duke shkruar se kishte ofruar dorëheqjen të hënën dhe “Presidenti Trump kishte thënë ‘le të bisedojmë për këtë nesër’“.
Shkarkimi i zotit Bolton, ishte i befasishëm për shumë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm një orë para mesazhit të zotit Trump në Tëitter, zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë njoftoi se zoti Bolton, do të dilte në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe atë të Thesarit, Steven Mnuchin.
Zoti Bolton, gjithmonë ishte dukur si një zgjedhje e pazakontë për postin, pasi nuk përputhej me këndvështrimin izolacionist të presidentit “Amerika mbi të gjitha”.