Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Novi Sad të Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin serb Alexandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në përfundim të takimit dyditor, pritet që të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një Mini Shengen ballkanik.
Kryeministri Rama do të pritet fillimisht nga Vuçiç e më pas do të ketë edhe një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zaev.
Ndërkohë, të enjten, takimet për miratimin e detajeve të fundit të marrëveshjes nisin që herët në mëngjes, ndërsa gjatë drekës të tre liderët do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.
Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet europiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.