Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka vendosur të japë llogari para zgjedhësve te tij pasi BE nuk ia dha Shkupit dritën e gjelbër për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ai sot vendosi që të kërkojë zgjedhje të parakohshme, për dallim nga Kryeministri i Shqipërisë i cili fajin për këtë ua hedh vetëm europianëve duke u kujdesur që të mos e lëshojë kolltukun e Kryeministrit.
Zoran Zaev, e ka pranuar përgjegjësinë për moshapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
“Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, ka thënë Zaev kur ka publikuar lajmin për zgjedhje të reja në shtetin maqedonas.
“Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Edi Rama, po vazhdon të mos marrë asnjë përgjegjësi për dështimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE’së.
Madje, Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë përgjegjëse Francën pse Tirana s’po mund të ecë drejt intergrimeve europiane. Konkretisht, Kryeministri shqiptar e ka bërë përgjegjës Presidentin francez.
Sikurse Maqedonisë së Veriut edhe Shqipërisë i është pamundësuar hapja e negociatave për anëtarësim në BE.
Madje, Gent Cakaj, u.d i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, e ka nisur të flasë dhe të japë shpjegime sikur të mbante edhe pozitën e kryediplomatit maqedonas. Ka thënë se Maqedonia po shkon në zgjedhje pasi Kryeministri i atjeshëm ka dhënë garanci se do të hapen negociatat kurse në Shqipëri jo.
“Në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme”, ndërsa Qeveria shqiptare nuk dha garanci për procesin”, ka thënë ai.