Këtë javë, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan viziton Uashingtonin, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Takimi shihet si mundësi për të përmirësuar raportet që u tensionuan nga dallimet në disa qëndrime.
Ofensiva e Turqisë kundër milicisë kurde në Siri, pritet të jetë temë kryesore e diskutimit midis dy presidentëve, Trump dhe Erdogan.
Për Ankaranë ushtarët kurdë janë terroristë, por ata janë aleati kryesor në betejën e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik.
Kongresi amerikan ka kërcënuar me fuqizim të sanksioneve kundër Turqisë, disa prej të cilave do të godasin personalisht zotin Erdogan. Takimi i kësaj jave midis dy presidentëve, vjen në kohë kritike për marrëdhëniet midis dy vendeve aleate të NATO-s.
“Është një listë e gjatë e problemeve midis dy vendeve. Në fakt marrëdhënia kurrë nuk ka qenë kaq e keqe. Çështje me rëndësi është sulmi i Turqisë në Siri dhe kundërshtimi i SHBA-së. Situata në terren është e paqëndrueshme”, thotë Asli Aydintasbas i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Pavarësisht tensioneve, dy presidentët duket se kanë ndërtuar marrëdhënie të mira bashkëpunimi, gjë që në Ankara shihet si mundësi për një riafirmim të tyre.
“Samiti historik do të sjellë përfitime për të dyja palët. Unë e shoh me optimizëm. Kjo do të sjellë zgjidhje dhe mundësi të reja mes dy aktorëve”, thotë Mesut Casin, këshilltar i presidentit turk.
Por disa analistë thonë se pritja e zgjidhjes duke u mbështetur vetëm tek Zoti Trump, mund të jetë stategji e rrezikshme.
“Ishte një gabim i madh strategjik që marrëdhënia të varet te Presidenti Trump, te një njeri dhe te postimet e tij në rrjete sociale. Është e gabuar. Do të thosha se është një ruletë ruse në marrëdhënien që është më e vjetër se një shekull”, thotë Asli Aydintasbas.
Zoti Erdogan pret nga Presidenti Trump të heqë embargon për blerjen e avionit të fundit luftarak amerikan.
Kjo masë erdhi si përgjigje ndaj blerjes nga Turqia të sistemit rus S-400 për mbrojtje nga raketat.
Uashingtoni është i alarmuar nga thellimi i lidhjeve të Ankarasë me Moskën.
Gjatë vizitës së tij, pritet që zoti Erdogan të ofrojë blerjen e raketave amerikane.
Ankaraja thotë se nëse ky takim nuk përmirëson raportet ShBA-Turqi, Moska është në pritje.
“Turqia nuk mund të ketë aleancë produktive me SHBA ndërkohë që këto kërcënime vazhdojnë në maksimum. Kjo nuk sjell përfitime. Kur sheh se kush përfiton nga situata, këto janë Rusia dhe Kina”, thotë këshilltari për politika të jashtme i presidentit turk, Mesut Casin.
Në Siri, qysh tani ka filluar bashkëpunimi i trupave turke dhe ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin pritet ta përcjellë me kujdes vizitën e Presidentit Erdogan në Uashington.