9-vjeçari belg, Laurent Simons është si gjithë moshatarët e tij; i pëlqen të luajë “Fortnite”, “Minecraft” dhe të shëtisë me qenin e familjes. Por, ndryshe nga moshatarët ka një dallim të madh.
Simons pritet që të diplomohet në degën e inxhinierisë elektrike në Universitetin Teknologjik të Eindhovenit. 9-vjeçari ka një nivel IQ të habitshëm prej 145. I lindur në Belgjikë, vogëlushi përfundoi gjimnazin brenda një viti dhe gjithë kursin për diplomën master në inxhinieri elektrike në vetëm 9 muaj.
9-vjeçari rrëfen me një gjuhë të thjeshtë dhe të artikuluar kohën si student, duke kujtuar pjesëmarrjen në një projekt.
“Ajo që po bëjmë është vendosja e neuroneve për të krijuar lidhjen dhe studiuar se çfarë efektesh ka një mjekim i caktuar në tru”, thotë ai.
E ëma e vogëlushit e lidh inteligjencën e djalit të saj me faktin se gjatë shtatzënisë kishte konsumuar çdo ditë peshk.
“Shpejtësia me të cilën ai mendon dhe mëson është e llahtarshme. Ne as që mund ta imagjinojmë se çfarë ka në kokën e tij. Ndoshta është dy deri në tre herë më i zgjuar se studenti më i zgjuar që ne si universitet kemi pasur ndonjëherë”, deklaroi drejtori i edukimit në Universitetin Teknologjik të Eindhovenit, Sjoerd Hulshof për CNN.
Vogëlushi, që shndërrohet në njeriun me moshën më të vogël që ka përfunduar universitetin, frymëzohet nga Nikola Tesla dhe ëndërron që të realizojë ndërtimin e një trupi njerëzor krejtësisht artificial, madje edhe me organe artificiale që do të funksionin me energji elektrike.
Por, deri atëherë do të ketë kohë, për momentin Simons po mendon të mbrojë doktoraturën dhe ofertat nuk i mungojnë, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës. Por, vetë vogëlushi tërhiqet nga ideja për të studiuar në universitetet amerikane.