Maqedonia e Veriut shpreson se Bashkimi Evropian do ta përmirësojë “gabimin historik” dhe sa më shpejt që të jetë e mundur do të vendos pozitivisht sa i përket caktimit të datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Zoran Zaev.
Ai thekson se vendi nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër pos integrimit euroatlantik, por vendimi negativ, sipas tij, ka rritur dozën e dëshpërimit, por jo edhe vendosmërinë për të vazhduar në këtë rrugë.
“Gjithsesi se dëshpërimi është i pranishëm te të gjithë qytetarët, është i pranishëm edhe tek unë për shkak se Bashkimi Evropian nuk mori vendim pozitiv. Mbetemi me shpresë se këtë gabim do ta përmirësojnë, është një gabim historik, edhe pse të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe presidentin francez Macron, janë të mendimit se ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet, por thanë se ende i duhet kohë. Do t’i shohim këto procese, por kjo neve nuk na dekurajon që të vazhdojmë me reformat”, thotë kryeministri Zaev.
Ai komenton edhe dobësitë në sistemin e drejtësisë, në kontekst të zhvillimeve të fundit në Gjyqësor, lirimin nga paraburgimi të ish -kryeprokurores Katica Janeva, rastin “Reketi”, zvarritjen e proceseve gjyqësore kundër ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, e kështu me radhë.
“Përfundimisht konsideroj se qytetarët nuk kanë arritur të ndjejnë pritjet që kishin në Gjyqësor, andaj ne shumë zëshëm flasim për atë që do të ndodhë në të ardhmen në sistemin e drejtësisë. Gjyqësori nuk është nën kontrollin e pushtetit ekzekutiv, ne vetëm se kemi miratuar ligjet, prandaj presim që shumë çështje të përmirësohen. Kemi procese transparente gjyqësore që të gjithë të ndihen të barabartë para organeve të drejtësisë, por kjo nuk është e mjaftueshme, duhet ende shumë punë për të bërë”, shprehet Zaev, duke u ndalur më pas edhe në debatin lidhur me vettingun.
Ai thotë se proces të verifikimit të pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të ketë dhe jo vetëm kaq, ai nuk e përjashton mundësinë që edhe institucione të tjera t’i nënshtrohet verifikimit.
Kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk ka përjashtuar edhe një mundësi tjetër, atë të rizgjedhjeve së gjyqtarëve, por vetëm pasi më parë të jetë zgjedhur kuadër i mjaftueshëm për të zëvendësuar eventualisht ata që mund të përjashtohen për shkak të keqpërdorimeve të ndryshme.
Një problem tjetër për kreun e Qeverisë është edhe ikja e popullatës nga vendi, në veçanti i kuadrit të kualifikuar, i cili në mungesë të perspektivës apo pagave të ulëta, po largohet në shtetet e Bashkimit Evropian.
Zaev thotë se një ndër masat që janë ndërmarrë është edhe ajo e ngritjes së pagave.
“Pa rritjen e fundit të pagave në arsim, ne edhe më tej jemi nën mesataren e pagave në rajon, të mos flasim për vendet e përparuara ku kemi ngecje të madhe. Me rritjen e fundit besojmë që të përafrohemi me pagat. Situatë e njëjtë është edhe në shëndetësi dhe nëse nuk bëjmë rritje të pagave ne mund të mbetemi pa mjek, nuk do të ketë kush të na shërojë”.
“Ne, duhet t’i motivojmë ata pasi gjendja mund të përkeqësohet”, thekson Zaev, i cili në krye të qeverisë do të jetë deri më 2 janar të vitit 2020 pasi sipas marrëveshjes për zgjedhje të parakohshme më 12 prill, më 3 janar duhet të formohet Qeveria teknike, pa Zaevin kryeministër dhe me dy ministra të opozitës në përbërje të saj dhe që do të drejtohet nga një kuadër tjetër i LSDM-së.
Zaev beson se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike dhe se nuk do të ketë nevojë për apele nga bashkësia ndërkombëtare.
“Neve nuk na duhet Bashkimi Evropian që të na kushtëzojë që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Kjo qeveri ka organizuar dy palë zgjedhje që janë vlerësuar si shumë të mira si nga institucionet evropiane, ashtu edhe nga ato të SHBA-së. Pse edhe zgjedhjet e radhës të mos jenë të lira dhe demokratike?! Nuk duhet të ketë asnjë dilemë sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev./rel