Ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Michael Bloomberg, lajmëroi në mënyrë zyrtare fushatën e tij për president në zgjedhjet e vitit 2020. Bloomberg lajmëroi kandidaturën e tij në një deklaratë të postuar në një faqe në rrjet të fushatës dhe në një video në Twitter.
“Do kandidoj për president për të mposhtur Donald Trump dhe rindërtuar Amerikën. Mendoj se eksperiencat e mija në biznes, qeveri dhe filantropi do mundësojnë fitoren”, tha ai.
Bloomberg, që do kandidojë si demokrat, do të rrisë taksat për të pasurit, do rrisë barazinë për klasën e mesme dhe do i mundësojë të gjithëve sigurim shëndetësor. Reklama e fushatës së Bloomberg bënte gjithashtu të ditur se miliarderi do të rimëkëmb NewYorkun nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit, si dhe do të trajtojë ndryshimin klimatik. Sipas analizave, ish-Kryebashkiaku ka shpenzuar mbi 30 milionë dollarë deri më tani në blerjen e kohës televizive për reklamat që promovojnë axhendën e tij politike në të gjithë vendin, shifër që tejkalon buxhetet e kandidatëve të tjerë demokratë.
Trump, duke reaguar ndaj rivalit të mundshëm, ka thënë se do e mposhtë fare lehtë Bloomberg. Pronari i agjencisë mediatike Bloomberg, që ka një pasuri prej 52 miliardë dollarë sipas Forbes, ka konsideruar garimin për president edhe më parë, por u tërhoq për shkak të fuqizimit të kandidatit demokrat, Joe Biden. Biden ka humbur vrull së fundmi dhe mendohet se kjo është nga arsyet kryesore që ka nxitur Bloomberg të nisë garën.