Ballina Aktualitet TRAGJEDI/ 50 viktima nga tërmeti! Nxirren të gjithë trupat nga rrënojat në...

TRAGJEDI/ 50 viktima nga tërmeti! Nxirren të gjithë trupat nga rrënojat në Thumanë dhe në Durrës (VIDEO)

Përfundojnë operacionet e kërkim shpëtimit. Nxirren dy trupat e fundit të pajetë në Durrës duke e çuar bilancin e viktimave në 50. 24 të vdekur në Durrës, 24 në Thumanë dhe 2 në Kurbin. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.

Një bilanc tragjik shënoi tërmeti i fuqishëm i së martës në Shqipëri, 50 jetë të këputa në mes. Fëmijë, burra, gra, të moshuar, të rinj, familje që u shuan nga tërmeti 6.4 ballë i shkallës Rihter në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit. Pak pas mesnate, teksa hyri data 29 nëntor, ekipet italiane të shpëtimit që i erdhën në ndihmë popullit shqiptar si shumë partnerë të tjerë të huaj, nxorën nga rrënojat dy trupat e fundit të pajetë, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.

Operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë të Fushë-Krujës, aty ku u shembën thuajse totalisht tre pallate, përfundoi një natë më parë. Si për ironi të fatit, janë shënuar 24 viktima në Durrës dhe 24 në Thumanë, ndërsa dy të rinj humbën jetën në Kurbin, njëri duke u hedhur nga ballkoni i tmerruar nga tërmeti dhe tjetri në aksident me makinë duke shkuar në spital pas dëmtimeve nga lëkundjet. Forcat e ushtrisë shqiptare, zjarrfikëset, forcat speciale, emergjencat civile dhe grupet e shpëtimit nga vendet partnere, Italia, Franca, Turqia, Serbia, Kosova, Rumania, Kroacia, Zvicra, Greqia etj, u bënë bashkë, për të nxjerrë trupat nga rrënojat. pati duartrokitje të shumta në momentet përlotëse të nxjerrjes gjallë të banorëve, por edhe heshtje të kobshme të nxjerrjes së viktimave. Heronj që nën kushte të vështira dhe aspak të favorshme të motit të keq nuk pushuan derisa e përmbyllën misionin me nxjerrjen nga rrënojat të të gjithë trupave.

Ngjarja tragjike që përfshiu Shqipërinë ngjalli ndjenjën humane të shumë qytetarëve, vendas e të huaj, që dhuruan ushqime, vlera monetare por mbi të gjitha lutje, për të prekurit nga tërmeti. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 27 nëntori, dita e parë pas tërmetit u shpall ditë zie. Dita e shpalljes së pavarësisë u kujtua vetëm me ngritjen e flamurit ndërsa u anuluan të gjitha aktivitetet zyrtare. Mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri është anuluar deri me 2 dhjetor. Të mbijetuarit po strehohen në hotele, çadra, ashtu sikundër shumë të tjerë kanë zgjedhur t’i kalojnë netët në makina pranë shtëpive të tyre të dëmtuara nga frika se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga hajdutët. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.

Duartrokitje e falenderime/ Grupi italian i shpëtimit largohet nga Shqipëria: Rrëfimet e misionit për të nxjerrë trupat nën rrënoja

Kreu i grupit të zjarrfikësve italianë, Nicola Cianelli, në një rrëfim për Report Tv tregon detajet e operacionit të kërkim shpëtimit në këto tre ditë që ata u vunë në krah të shqiptarëve pas tragjedisë së tërmetit. Për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, ai thotë se grupet italianë të shpëtimit kanë punuar me kujdes të madh për të mos dëmtuar personat që shpresonin se mund të gjenin të gjallë nën rrënoja, edhe pse fatkeqësisht e mbyllën me nxjerrjen e një të pajeti, Ilir Lalës, i cili kishte humbur edhe 7 pjesëtarë të tjerë në rrënojat e vilës 4 katëshe në zonën e ish-kënetës.

Ai thotë se Italia i ka pajisjet që ndihmojnë në këto operacione me të cilat ai është mësuar pasi Italia është prekur shumë herë nga tërmete të mëdha. E rëndësishme – thotë Cianelli – është që edhe qeveria shqiptare të shikojë një plan për të pasur pajisjet që duhen për t ëpërballuar të tilla fatkeqësi natyrore.

E quan si çdo tërmet që ka ndodhur në Itali dhe kudo ndërsa thotë se grupet e shpëtimit italianë nuk patën shumë mundësi të shihnin nëse pallatet shqiptare ishin të fortësisë që duhet apo nëse kishin probleme. Në përfundim të misionin, ekipi italian është larguar me duartrokitje ndërsa nuk kanë munguar falenderimet nga të dyja anët, një shenjë solidariteti dhe mirënjohje!

Ora 00:08
Nxirret edhe trupi i fundit i pajetë te ‘2 Gjelat’ në Durrës
Pak minuta më parë është nxjerrë nga rrënojat edhe një tjetër viktimë tek një pallat në zonën e njohur si ‘2 Gjelat’ në Durrës. Viktima është Xhuljeta Gjonaj.

Ora 00:07
Shqipëria nuk gjen paqe, tjetër goditje e fortë tërmeti

Vijon vala e goditjeve nga tërmeti. Në mesnatë Shqipëria është lëkundur nga një tërmet me magnitudë 4.8 ballë i shkalles rihter me epiqendër në Rubjekë të Durrësit.

Ora 00:02
Nxirret trupi i fundit i pajetë i familjes Lala te Këneta në Durrës
Në mesnatë është nxjerrë trupi i pajetë i Ilir Lalës nga rrënojat te vila në Kënetë, që është edhe i fundit nga anëtarët e familjes Lala që u shua nga tërmeti. Trupi i pajetë është nxjerrë nga forcat italiane. Tashmë po kërkohet vetëm tek një pallat në zonën e njohur si ‘2 Gjelat’, ku sipas informacioneve po kërkohet për një trup të pa jetë, që mund të jetë nën rrënoja.

Ora 20:37
Pronarët i hoqën kolonat e katit të parë të pallatit për të hapur verandën e kafenesë…tragjedia që mund të ishte shmangur te ‘Dy Gjelat’ në Durrës

DURRËS- Zgjerimi i një kafeneje me verandë, e cila që në fillim është kundërshtuar nga banorët, ka sjellë një tragjedi në një pallat në zonën e njohur si “Dy Gjelat” në qytetin e Durrësit.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, pronarët e këtij lokali zgjeruan biznesin e tyre me një verandë dhe për këtë hoqën kolonat, mbi të cilën mbahej një anë e pallatit. Një veprim i tillë pati pasoja të rënda. Nga lëkundja e fortë e 26 nëntorit, dy katet e para të këtij pallati u zhytën në tokë, teksa banesat në katet e tjera nuk kanë pasur asnjë problem.

Një tragjedi kjo e cila vjen nga dora e njeriut dhe jo e Zotit, e që mund të ishte shmangur. Nga rrënojat e këtij pallati është nxjerrë trupi i Nafije Rexhepit, 74-vjeç dhe të Xhuljeta Gjonajt.

Iu hoqën kolonat e katit të parë të pallatit për ta bërë kafene…tragjedia që mund të ishte shmangur te ‘Dy Gjelat’ në Durrës

Ora 19:58
Manastirliu në spitalin e Durrësit: Riorganizuam shërbimin e urgjencës, puna në orët e mbrëmjes po vijon normalisht

Pas izolomit të pjesshëm të një prej hyrjeve të urgjencës të spitalit të Durrësit, shërbimi i urgjencës është riorganizuar nga hyrja kryesore e spitalit për të funksionuar me kapacitet të plotë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila po ndjek nga afër situatën në spitalin e Durrësit tha se janë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer çdo qytetari të lënduar.

“Është rionganizuar shërbimi i urgjencës nga hyrja kryesore e spitalit. Janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve për të pritur çdo qytetar të lënduar dhe puna po vijon normalisht”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se aktualisht në spitalin e Durrësit po trajtohen 22 të lënduar, ndërsa pjesa më e madhe e të lënduarve kanë lënë spitalin. Ministrja në një dalje të mëparshme së bashku me inxhinierin Agron Hysanbelliu tha se pas vlerësimit të godinës u vendos që spitali i Durrësit nuk ka dëme në strukturë dhe nuk përbën rrezik.

Që nga momenti i rënies së tërmetit të parë në spitalin e Durrësit janë trajtuar rreth 345 pacientë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

Ora 17:49
Ministria e Shëndetësisë: Mbi 2 mijë të lënduar kanë marrë shërbim në spitale

Ministria e Shëndetësisë deklaron se ka shkuar në 790 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 700 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.
Aktualisht janë të shtruar 62 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që janë në observim intensiv dhe një e plagosur nga tërmeti në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë kryer 886 vizita mjekësore për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 335 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Thumanë dhe Durrës. Urgjenca kombëtare ka përballuar 4411 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1106 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Ora 17:49
Nxirret një tjetër trup i pajetë në ‘Dy gjelat’ në Durrës

Një tjetër trup, fatkeqësisht i pajetë është nxjerrë nga rrënojat në zonën “Dy gjela” në qytetin e Durrësit. Viktima është Nafije Rexhepi, 74-vjeç.

Ora 17:08
Nxirren trupat e pajetë të nënës dhe tre fëmijëve në vilën e familjes Lala në Kënetë

Ekipet e kërkim shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat në vilën 4 katëshe të shembur në zonën e Kënetës katër trupa të pajetë. Ata janë pjesëtarë të familjes Lala, disa prej të cilëve janë nxjerrë më herët të pajetë.

Viktimat janë binjakët 2-vjeçarë Dionis dhe Dionisa Lala, nënën e tyre marjeta Lala, dhe vëllain tjetër Emilio Lala. Nga rrënojat janë nxjerrë nëna me tre fëmijët e saj. Ndërkohë vijojnë kërkimet për xhaxhain e tyre Ilir Lala, i cili është i paralizuar.

Ora 15:53
Mbyllet kërkimi tek hotel ‘Mira Mare’ në Durrës, sipër rrënojave vendoset flamuri shqiptarë (VIDEO)

Pak minuta pasi u nxor trupi i pajetë i 41-vjeçarit, Sotiraq Misha, në rrënojat e hotel Mira Mares është mbyllur puna e grupeve të kërkim shpëtimit. Në maj të pirgut me rrënoja është vendosur edhe një flamur shqiptarë në shenjë solidariteti me viktimat që la pas shembja e këtij hoteli.

Ora 14:35
U nxor trupi i fundit, ndërpritet puna e kërkim-shpëtimit në rrënojat e hotel ‘Mira Mare’ (VIDEO)

Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të një 41-vjeçari, Sotiraq Misha nga rrënojat, ekipet e kërkim shpëtimit kanë ndërprerë punën. Ashti si edhe në Thumanë, nga informacionet e marra, si dhe nga dëshmitë e banorëve, tashmë nën rrënojat e kësaj ndërtese nuk dyshohet të ketë më njerëz. Kështu puna e grupeve të shpëtimit është ndërprerë.

Ora 14:28
Nxirret i pajetë një 41-vjeçar nga rrënojat e hotel ‘Mira Mare’ në Durrës (VIDEO)

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat e hotel Mira Mare në Durrës, trupin e një 41-vjeçari, Sotiraq Misha. Kërkimi i këtij 41-vjeçari është bërë me ngulm edhe nga pronari i objektit i cili ka thënë se viktima ka qenë brenda në momentin kur është shembur ndërtesë. Ndërkohë dyshohet se ende nën rrënoja të jenë edhe dy persona të tjerë.

Ora 12:43
Lëkundjet e fundit të tërmetit/ Dëmtohen muret e Urgjencës në Durrës (VIDEO)

Ora 11:08
Mbyllet aksioni i kërkim shpëtimit në Thumanë, përfaqësuesit e IKMT në zonë, pritet të nisë shembja e pallateve (VIDEO)