I vetmi i mbijetuar i familjes Cara në Thumanë, Albert Cara, është nisur sot drejt Italisë, për mjekim më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Ai u nxor i gjallë nga rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, por me shumë dëmtime në trup. Cara është nisur këtë mesditë me avion nga aeroporti i Rinasit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë Oerta Manastirliu.
Albert Cara humbi të gjithë familjen nën rrënoja, gruan Fatmira, dy djemtë Hasan dhe Almir, vajzën Erisa, të fejuarën e Almirit, Stelën, nusen e xhaxhait, Anthi, dhe mbesën e saj Sadajan, të cilët janë përcjellë sot mes lotësh për në banesën e fundit. Ndërkohë, nga rrënojat u nxor e gjallë Lindita Cara, vajza e xhaxhait të Albert Carës (nëna e Sadajanës), pas rreth 15 orësh nën rrënoja.