Udhëtimet jashtë Shqipërisë kane qenë të preferuara për shumë shqiptarë në festat e nëntorit. Por këtë fund nëntori, shumë prej tyre nuk po nisen në një udhëtim të planifikuar, por me një biletë të prerë në minutë të fundit, nga frika e tërmetit.
“Po iki te djali në Francë. Jetoj në Durrës. Shtëpia kishte dëmtime të vogla, por jemi shumë të goditur shpirtërisht”, shprehet një qytetare.
“Po ikim nga tërmeti. Kemi 4 ditë pa gjumë”, thotë një tjetër.
“Unë jetoj këtu, por jam nga Rusia. Këtu kam burrin. Tani po udhëtoj për në Moskë pasi u trembëm të gjithë. Do të qëndrojmë atje sa të qetësohemi. Ndoshta do të kthehemi para Vitit të Ri”, thotë një shtetase ruse.
Megjithatë, nuk ka vetëm shqiptarë që ikin. Të shumtë janë ata që zbresin në Tiranë. Telefonatat familjarëve të shqetësuar dhe pamjet e Shqipërisë së gjunjëzuar nga tërmeti kanë bërë që shumë prej atyre që janë larg, të vijnë për t’iu gjendur pranë të afërmve.
“Vij këtu pasi kam një nga fëmijët këtu dhe prindërit. Jetojnë në Ishëm. Do të qëndroj me ata”, shprehet një qytetare.
Tërmeti ka gjetur në Shqipëri edhe shumë të huaj. Dikush nxiton të ikë… “Kam ardhur këtu për punë, por pas tërmetit, vendosa të largohem që sot, edhe pse kthimin e kisha planifikuar për ditën e hënë”.
Të tjerë ftojnë të mos e lënë vendin… “Nuk u frikësova fare. Isha në Tiranë kur ra tërmeti. Qytetarët duhet të rrinë në Shqipëri, të mos largohen nga vendi. Nuk është gjë e mirë”, shprehet një shtetas i huaj.
Në aeroport takojmë edhe Florin. Ai do të qëndrojë vetëm 24 orë në Tiranë. Bashkë me shumë shqiptarë e miq të tij zviceranë, kanë mbledhur ndihma për të goditurit nga tërmeti.
“Është shumë e vështirë për ne që kemi familje këtu, kemi vendin tonë, të shohim nga atje dhe vetëm të qajmë në “Facebook” dhe t’u shkruajmë njerëzve.
Doja të vija të qetësoja familjen. Kam sjellë edhe gjëra që mu gjendën miq zviceranë dhe shqiptarë. Nesër largohem sërish. Puna është të mos jemi kaq solidarë vetëm në momente të vështira, por edhe në jetën e përditshme”, tregon Flori.(A2)