Kjo ishte banesa 4-katëshe e familjes Lala, në ish-Kënetë të Durrësit, ku tërmeti 6.4 i mëngjesit të 26 nëntorit e rrafshoi duke marrë jetët e anëtarëve të saj.
Familja Lala ishte ndër më të prekurat nga tërmeti shkatërrues. Tetë anëtarë të familjes humbën jetën nën rrënoja. I vetmi që i shpëtoi paq është 17-vjeçari Ramë Lala, jetën e të cilit e shpëtoi një lavatriçe.
Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Nën rrënoja mbeti po ashtu edhe Griselda 22 vjeç, motra e 17-vjeçarit Ramë Lala.
Por si ishte e ndërtuar vila 4-katëshe e familjes me origjinë nga Peshkopia që u kthye në mort?
Siç mund ta shihni në këto foto është e qartë se cilësia e dobët e ndërtimit të saj nuk ka mundur të përballojë goditjen e tërmetit, ndërsa u bë rrafsh me tokën.
Kolonat e godinës janë tepër të holla për të mbajtur mbi tyre katër kate ndërtesë. Në goditjen e parë të tërmetit në orën 03.55 ndërtesa u rrëzua, ndërsa gjatë ditës ekipet e shpëtimit kishin kontakte me disa prej anëtarëve nën rrënoja.
Ndërkohë, më pas e gjithë godina u rrëzua duke i zhytur edhe njëherë nën rrënoja anëtarët e familjes, për t’i nxjerrë më pas të pajetë.
Ndoshta papërgjegjshmëria në ndërtim shoi një familje të madhe.
Viktimat e familjes Lala:
Sahadete Lala 79 vjeç – (Gjyshja)
Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç i fundit qe u nxor nga rrënojat
Marjeta Lala me 4 fëmijët:
Emilio Lala
Dionis Lala 2 vjeç
Dionisa Lala 2 vjeç -binjakë
Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë
Griselda Lala- 22-vjeç (Motra e Ramë Lalës që shpëtoi)/ abc news