Tetë anëtarë të familjes Cara, të cilët mbetën viktimë të tërmetit tragjik u përcollën sot për në banesën e fundit.
Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Ndërsa në tryezën e pasmortit prekëse ishin rrëfimet e të afërmve të familjes Cara.
I vetmi i mbijetuar është kryefamiljari Albert Cara, ndërsa ende nuk e di se ka humbur të gjithë anëtarët e familjes, dy djemtë, vajzën, bashkëshorten dhe të fejuarën e djalit.
“Ju lutem më thoni që vetëm një fëmijë të më ketë shpëtuar. I thashë fëmijët i ke në rregull vetëm të bëhesh më mirë ti, ishalla shërohet por atëherë do ketë tragjedi them unë”, tregon një prej të afërmve bisedën me Albertin nga spitali i Traumës.
“I tha motrës mbrëmë, më thuaj pse ke ardhur kush ka vdekur, më thuaj emrin, jo më thuaj emrat, por më thuaj emrin, ai dicka e ndjen”, tregn një tjetër.
Ndërsa një i afërm shprehet se Alberti diçka e ndjen që ka humbur dikë nga familja, pasi ka treguar një moment kur nën rrënoja ka pasur për dore djalin, dhe dora e tij është ftohur.
“I thashë di gjë për fëmijët, nuk di gjë tha di vetëm këtë që djalin e kam pasur për dore dhe dora filloi duke u ftohur”, shprehet ai.
Viktimat e familjes Cara:
Fatmira Cara (bashkëshortja e Albertit) u nxorr e pajetë.
Hasan Cara (djali) u nxorr i pajetë.
Erisa Cara (vajza) u nxorr e pajetë.
Almir dhe Stela Cara (djali dhe nusja e Albertit) u nxorrë të pajetë
Lindita Cara (vajza e xhaxhait të Albertit) u nxorr e gjallë pas 15 orësh nën rrënoja por vdiq në spital.
Anthi dhe Sadajana Cara (xhaxhai dhe gruaja e xhaxhait të Albertit) u nxorrën të pajetë.