25-vjeçarja nga Korça, e cila humbi jetën tragjikisht në Thumanë pranë të fejuarit të saj, Almir Carës, është përcjellë në vendlindje për në banesën e fundit.
Ditën e sotme iu dha lamtumira Diastela Steneci, e cila mbeti viktimë e tërmetit shkatërrues të së martës në Thumanë bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes Cara.
Prekëse dhe rrëqethëse është edhe historia në familjen Cara, pasi nga 9 pjesëtarë, vetëm 2 prej tyre kanë arritur të mbijetojnë nga rrënojat e tërmetit vdekjeprurës.
Almir Cara, vetëm 29 vjeç me të fejuarën e tij Diastela Steneci kishin planifikuar të martoheshin këtë verë, por ëndrrat e tyre për jetën u prenë në mes të martën në mëngjes, më 26 nëntor 2019.
Gjithashtu arkivolet me trupat e të ndjerëve të familjes Cara u përcollën sot nga çadra ku po mbaheshin homazhet në varrezat e qytezëz. Trupin e pajetë të Almirit e përcollën shokët e tij mes lotësh e dhimbjes së madhe.