Pronari i një kompanie që ofron shërbim interneti, ka njoftuar urdhrin që i ka ardhur për bllokimin e internetit ndaj portalit të lajmeve online, ‘Jeta osh qef’.
Ish-kryeministri Berisha e ka publikuar në Facebook këtë lajm ndërsa thotë se e dënon ashpër urdhrin e kryeministrit Rama.
Sipas pronarit të kompanisë së internetit, ai ka marrë një e-mail nga AKEP-i që e ka detyruar t’i bllokojë internetin portalin online ‘Jeta osh Qef’ ndërsa thekson se ky e-mail u ka shkuar edhe kompanive të tjera që ofrojnë internet në vend.
Nga një verifikim i thjeshtë në web, rezulton se portali ‘Jeta osh Qef’ nuk është më online.
Ish-kryeministri Berisha thekson se ky është një akt stalinist dhe hakmarrje e verbër primitive e kryeministrit Rama.
Më tej ai u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndëshkojnë kryeministrin Rama për qëndrimin kriminal ndaj shtypit dhe fjalës së lirë në Shqipëri.
Një ditë më parë, policia shoqëroi dy administratorët e portalit ‘Jeta osh Qef’, Gentian Çengeli e Erland Dalliu, me akuzën e përphapjes së panikut nëpërmjet njoftimeve të rreme.
‘Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese.
Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf.
Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.’ – thuhet ndër të tjera në deklaratën e policisë.
‘Prej vitesh kam nje kompani interneti (ISP internet service provider). Ky emaili sapo me erdhi nga AKEP qe me detyron te mbyll aksesin e portalit JETA OSH QEF per te gjithe klientet e kompanise tone. Normalisht ky email duhet ti kete shkuar te gjithe operatoreve te internetit ne Shqiperi. Me kete akt Shqiperia barazohet me shtetet si Korea e Veriut qe censurojne aksesin e internetit. Pervecse mediat qe jane te blera keta po fusin kthetrat e tyre edhe ne tregun e internetit. Ky eshte nje precedent shume i rrezikshem per komunikimet edhe lirine e fjales. Ju lutem anonim se te gjen belaja me keta doktor. Ju uroj shendet!’ – shkruhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.