Dihet që raportet e kryeministrit Rama në fakt me mediat nuk kanë qenë ndër më të mirat sa herë që ai është ndjerë i sulmuar duke i cilësuar jo pak herë edhe si “kazan”. Ai madje është dalluar gjithnjë si një person që ka ditur t’i kthejë të gjitha situata në favor të tij. Lëvizja më e fundit është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe shfrytëzimi i saj për luftën personale mediatike.
Kërcënimet se në kuadër të Gjendjes së Jashtëzakonshme do të mbyllte portalet, ai i ka realizuar sëfundmi me mbylljen e faqes së JOQ Albania.
Një vendim, i cili u dënua edhe nga Këshilli Shqiptar i Mediave, duke e cilësuar si të gabuar dhe në shkelje të ligjit.
“Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media”, thuhet në reagimin e KMSH ndër të tjera.
Por rasti i JOQ Albania është vetëm maja e ajsbergut, në kuadër të Gjendjes së jashtëzakonshme, është bllokuar një editorial i Gazetës Dita me titullin: “Pse s’ka lekë qeveria, klasë politike shpirtzbrasur”.
Lufta anti-media
Kjo betejë e Ramës ndaj mediave, kryesisht atyre online nuk ka nisur tani. Vite më parë kryeministri Rama lançoi një nismë, e cilësuar nisma anti-shpifje ku përfshiheshin edhe dënime me vite burg për lajme apo njoftime të rreme.
Presioni i brendshëm dhe kryesisht ai i brendshëm bëri që kjo nismë të mbetej thjesht një letër.
Por kryeministri nuk e la me kaq, një vit më parë ai tentoi të vinte nën kontroll portalet online në Gjuhën Shqipe të regjistrohet në QKR, ndryshe AKEP do t’i mbyllte. Teksa ligjërisht e teknikisht edhe mund ta ndërhynte për domainet .al, ishte një kërcënim absurd për domainet .com .us .eu, e çdo lloj domaini tjetër në gjuhën Shqipe, por që funksion jashtë vendit.
Ato përfshihen në hapësirën globale, publike, falas të botës online dhe bllokimi i tyre do të thotë censurë.
Duke u rikthyer tek tërmeti i 26 nëntorit që solli edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme më 28 nëntor. Brenda asaj dite, policia procedoi penalisht dy administratorët e faqes “Jeta Osht Qejf”, e sot AKEP mbylli edhe faqen e për Shqipërinë.
Çfarë pritet më të ndodhë?! Kryeministri Rama mund t’i lindë edhe dëshira për të mbyllur çdo portal, televizion apo gazetë në këto 30 ditë të Gjendjes së jashtëzakonshme, por a është normale kjo?!
Mediat online duhet të rregullohen që të frenohet abuzimi. Por t’i mbyllësh ato për një postim dhe pa asnjë vendim gjykate nuk duket aspak normale. Kjo shpreh dëshirën e Ramës, i cili në emisionin “Open” të Eni Vasilit, tha nën zë: Ah sikur të shuhen zërat e mediave….!