Nga Fatmir Sulejmani
MJESHTRI i vargut dhe i prozës narrative Agron Tufa – artisti gjuhëkrijues e erudit, intelektuali që prej vitesh sfidon krimet e kueçedrave të së shkuarës dhe pinjollëve të tyre të sotëm…, është larguar nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Duke e njohur nga afër karakterin e Gonit, jam i bindur se këtë hap e ka bërë vetëm pasi e ka kuptuar mirëfilli se është në rrezik serioz jete, bashkë me pesë engjejt dhe Elvanën e dashtun.
Kërcënimet për likuidimin e tij fizik muajve të fundit kanë qenë publike, kërcënuesit e njohur për organet e rendit, po askush nuk ndërmorri asgjë kundrejt vrasësvë potencialë të Artistit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se as klasa intelektuale (respekt përjashtimeve!), e cila sot vajton ikjen e Agronit, nuk e përkrahu sa duhet luftën e mohikanit shpirtlirë e atdhedashës. Ndaj, në këso rrethanash, sado e dhimbshme qoftë, e përkrah vendimin e mikut tim Gonit, i cili sigurisht do të kthehet një ditë, nëse do Zoti e shpëton Shqipërinë nga varrmihësit.