Shembja e tre pallateve në Thumanë që shkaktoi 24 viktima ka dyshime se nuk ka ardhur vetëm nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Prokuroria e Krujës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin e këtyre godinave, për të parë nëse janë respektuar rregullat e ndërtimit, apo nëse janë kryer si duhet kolaudimit apo verifikimet nga personat përgjegjës.
Banorët e këtyre godinave pretendojnë se pallatet kanë qenë të pabanueshëm pas tërmetit të 21 Shtatorit. Por sipas tyre asnjë institucion nuk iu përgjigj këtij shqetësimi. Për këtë Prokuroria e Krujës ka marrë në pyetje banorët e pallateve që fatmirësisht arritën të mbijetojnë pas tërmetit të mëngjesit të së martës.
Përveç pallateve të rrëzuara, IKMT-ja ka prishur edhe disa pallate të tjerë të deklaruara të pabanueshme. Edhe në këto raste hetuesit kanë marrë në cilësinë e provës materiale mbetje të këtyre pallateve.
Ndërkohë në Prokurorinë e Tiranës, Policia dhe Bashkia ka çuar një listë prej 800 godinash të dëmtuara që mund të jenë objekt hetimi. Mësohet se ato do të ndahen në godina të ndërtuara para viteve 1990 dhe pas viteve 1990.
Hetimet kanë nisur për akuzat shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm./klan