Një javë pas tërmetit që vrau 51 vetë, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë për në Stamboll, ku do të kërkojë ndihmë nga vendet e të ashtuquajturit Zemra e Azisë – Procesi i Stambollit, një konferencë aziatike për të ndihmuar rindërtimin e Afganistanit.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri njoftoi:
“Me Erdoganin do të jemi të dielën me konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, të besimit mysliman. Po vijojmë edhe në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor. Do të kemi një mbështetje të konsiderueshme në raport me nevojën.”
Konferenca në fjalë do të mbahet më 9 dhjetor dhe njihet si Samiti i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ‘Zemra e Azisë’—një takim i përvitshëm në mbështetje të Afganistanit, njohur ndryshe si Procesi i Stambollit, ku marrin pjesë Afghanistani, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara, India, Irani, Kina, Kirgistani, Pakistani, Rusia dhe Taxhikistani, Turkmenistani dhe Turqia.
Në takim pritet që Presidenti Erdogan t’u bëjë thirrje vendeve anëtare që të mbështesin financiarisht qeverinë shqiptare për të rindërtuar vendin pas tërmetit.
Menjëherë pas tërmetit, Rama dhe Erdogani e kanë theksuar se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për t’u informuar rreth tërmetit. Presidenti Erdogan njoftoi se Turqia do të ndërtojë 500 apartamente në Shqipëri. Ai tha se do të angazhohej personalisht që të nxiste vendet me shumicë muslimane të mbështesnin me ndihma konkrete Shqipërinë pas tërmetit.
Vizita në Stamboll është vizita e dytë ndërkombëtare e Kryeministrit Rama për të kërkuar mbështetje. Këtë javë ai vizitoi Londrën pë Samitin e NATO-s, ku mori premtimin nga Presidenti Makron për organzimin e një konference donatorësh.
Në kthim nga Londra, dje kryeministri mori pjesë në një emision televiziv italian, nga ku i bëri apel publikut italian për mbështetje.
Duket se pak pas ditë pas vdekjes së 51 personave nën rrënojat e një tërmeti të fuqishëm, Rama nisi dje një fushatë ndërkombëtare për të shpalosur punën e qeverisë, solidaritetin e popullit shqiptar me qeverinë, si dhe për të kërkuar ndihma financiare.
Të njëjtën gjë që bëri në Londër me drejtuesit perëndimorë, ku delegacioni shqiptar ishte marrë me shpërndarjen e dokumenteve që vërtetojnë dëmet në Shqipëri, ndërsa ai vetë kishte “arritur të përfshi[nte] drejtpërdrejtë emocionalisht liderët”, Rama duket se do ta bëjë edhe me drejtuesit e vendeve aziatike.