Mbrëmë sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i ftuar në emisionin “Çka nuk është e qartë” në Alfa Tv foli për koalicionet e mundshme, dhe faktin se si asnjë parti shqiptare nuk dëshiron të koalicionojë me BDI-në.
Veç kësaj Taravari tha se urrejtja që e ka kapluar popullin për BDI-në, nuk i ka ndodhur ndonjë partie tjetër këto 30 vitet e fundit. “Edhe në fotografi të ju kapin me ndonjë funksionar shqiptarë të BDI-së, në rrjetet sociale do ju shajnë. Pra, urrejtje e tillë ndaj ndonjë partie 30 vitet e fundit në Maqedoni, nuk besoj se ekziston. Në vitin 2016-të kishte për VMRO-në, por jo si për BDI-në tani. Unë ju sigurojë se ne do të bëjmë koalicion para zgjedhor me një ose dy parti shqiptare me të cilat do të jetë mjaftueshëm të fitohet BDI. Ose me BESËN ose me Alternativën, ose me të dyja” ka thënë Taravari. Ai po ashtu bëri të ditur edhe numrat e mundshëm me cilën do parti që do të koalicionojnë. Sipas tij nëse ndodh me të dyja, diferenca do të jetë e dyfishtë.
“Mbani mend numrat: 15:8, 15:9, 14:8. Nëse do të ketë koalicionim me një parti, diferenca do të jetë një deri dy deputetë më shumë për partitë shqiptare të opozitës” shtoi Taravari. Ai disa herë theksoi se është koha të ndodhë ndryshimi njëjtë si në Kosovë, ndërkaq siguroi se ky ndryshim do të ndodhë më 12 prill, duke e krahasuar humbjen e BDI-së si çlirim i njëjtë me çlirimin e shqiptarëve në vitet e ‘90ta nga Enver Hoxha. Sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari theksoi se epërsia që ka Aleanca për Shqiptarët ndaj BDI-së është më se i dukshëm.(INA)