Irani tha të premten se dëshiron t’i shkarkojë vetë regjistrimet e kutisë së zezë nga aeroplani ukrainas i rrëzuar në Iran, ku humbën jetën të 176 njerëzit në bord.
Komentet vijnë pasi Kanadaja dhe zyrtarë të tjerë thanë se avioni u rrëzua nga një raketë iraniane, ndoshta gabimisht.
Avioni, i cili sapo ishte nisur nga Teherani për në Kiev, u rrëzua të mërkurën, në kohën që Irani ishte në gatishmëri për një përgjigje ushtarake nga SHBA, disa orë pasi kishte hedhur raketa ndaj objektivave amerikane në Irak.
Irani, i cili ka mohuar që avioni Boeing 737-800 u rrëzua nga një raketë, tha se mund të duhej një ose dy muaj për të nxjerrë informacione nga regjistruesit e të dhënave të zërit dhe fluturimit. Zyrtarët iranianë thanë se mund t’i kërkojnë ndihmë Rusisë, Kanadasë, Francës ose Ukrainës nëse do të jetë e nevojshme.
“Bazuar në rregulloret ndërkombëtare, ne kemi ftuar të tjerët të jenë të pranishëm. Kemi ftuar prodhuesin e avionit, i cili është amerikan. I kemi njoftuar dhe ata kanë pranuar. Kemi informuar edhe Kanadanë që të marrë pjesë, sepse ata kishin shumë shtetas në aeroplan dhe ata kanë pranuar,” tha zyrtari iranian i aviacionit, Ali Abedzadeh.
Teherani tha gjithashtu se hetimi mund të zgjasë një ose dy vjet. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se nuk mund të përjashtonte një sulm me raketë por shtoi se kjo nuk ishte konfirmuar.
Shtetet e Bashkuara i dorëzuan Presidentit Zelenskiy të dhëna të rëndësishme për rrëzimin përpara një telefonate me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo të premten.
Në mediat sociale, shumë iranianë shpreheshin me zemërim që aeroplanit iu lejua të ngrihej në ato momente tensioni. Disa shprehnin shqetësim për imazhet që qarkulluan në Twitter dhe ku dukej se vendi i rrëzimit ishte pastruar nga buldozerët.
Irani tha se preferon t’i shkarkojë vetë kutitë e zeza të avionit.
“Ne preferojmë t’i shkarkojmë kutitë e zeza në Iran. Por nëse shohim se nuk mund ta bëjmë këtë pasi kutitë janë dëmtuar, atëherë do të kërkojmë ndihmë,” tha Ali Abedzadeh.
Një zyrtar amerikan, duke përmendur të dhënat satelitore, tha se Uashingtoni ka konkluduar me një shkallë të lartë sigurie se avioni u rrëzua gabimisht nga raketa antiajrore.
Satelitët ushtarakë amerikanë kanë aftësinë të zbulojnë emetimet infra të kuqe të shkaktuara nga nxehtësia.
Teherani mohon që avioni të jetë goditur nga një raketë, duke thënë se njoftime të tilla janë “luftë psikologjike kundër Iranit”.